Ujkani, “lufta e tretë” kundër MilanitSamir Ujkani do të ruajë portën për herë të tretë brenda një viti ndaj yjeve të Milanit

Rrjetet sociale:
Kushtrim KRASNIQI - Pikërisht kundër Milanit, Samir Ujkani kishte debutuar në Serie A me skuadrën e Palermos, ndeshje kjo të cilën e kishte quajtur një ‘debutim ëndrrash’. Nuk vonoi shumë dhe ‘gardiani’ shqiptar kishte përballë sërish yjet e Milanit, por, këtë herë në fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, në ndeshjen e vlefshme për trofeun Taçi Oil. Dhe për rastësi, portieri nga Vushtrria muajin e ardhshëm do të sfidohet për herë të tretë ndaj Milanit. Këtë herë, ai do të ruaj portën e Novaras (Serie C) në takimin e të tetës së finales për Kupën e Italisë. “Duket se Zoti e ka shkruar që të ndeshem shumë herë me Milanin. Do të jetë hera e tretë ndaj tyre brenda një viti”, - tregon për Tribunën Shqiptare, përmes postës elektronike Ujkani.
Në ndeshjen e parë kundër Milanit kishte luajtur në pjesën e dytë, por pa pësuar gol, derisa në takimin e dytë të zhvilluar në Tiranë pësoi tre gola. Këtë herë ai beson se do të bëjë çmos të ‘blindoj’ portën. “Ne më shumë jemi të fokusuar për tu ngjitur në Serie B, pasi në kampionat nuk kemi pësuar ende humbje. Kupa për ne është një befasi, pasi deri më tani kemi mundur skuadra të Serie A si Parma e Siena, ndërsa ndaj Milanin mua më mbetet të ruaj sa më mirë portën, e nëse na jepet rasti pse të mos shkaktojmë një tjetër befasi”, - shtoi ish-portieri i Palermos, i cili në verë u huazua tek Novara. Sfida ndaj Milanin do të luhet më 13 janar në San Siro dhe do të zhvillohet vetëm një ndeshje.
Pas 15 javësh në Serie C1/A, Novara kryeson me 35 pikë të tubuara, pesë më shumë se vendi i dytë Cremonese. Ujkani pohon se janë favorit kryesor për të realizuar synimet për inkuadrim në Serie B.
Të hënën (sot) do të zhvillojnë një tjetër takim të rëndësishëm ndaj Arezzos. “Deri më tani punët janë duke shkuar shumë mirë. Nesër (sot) kemi ndeshje të rëndësishme dhe nëse mposhtim Arezzon atëherë do të ishim në rrugë të mirë për tu inkuadruar në Serie B. Deri më tani nuk kemi pësuar asnjë humbje”, - deklaroi Ujkani.
Numri i klikimeve - 1782
E Hene, 07 Dhjetor 2009