E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujkani ndjehet gati: Mezi pres të luaj ditën e diel

Portieri kuqezi do të ndeshet në javën e parë kundër Palermos, skuadër me të cilën debutoi në Serie A

Për Samir Ujkanin, e diela do të jetë një sfidë si ish, ndonëse kartoni i tij është i ndarë përgjysmë mes Novarës dhe Palermos. “Në verë u fol për kthimin tim te Palermo, por ishin vetëm zëra dhe asgjë konkrete. Për mua do të jetë gjithçka e bukur, sepse do të kthehem të luaj në Serie A, ta bëj kundër Palermos është një plus më shumë. Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe ta nisim mirë sepse është e rëndësishme. Unë dua të rri këtu dhe të gjithë e dinë këtë. Kam dy vite dhe është rruga më e mirë për mua. Interesimet e skuadrave të tjera më stimulojnë për të punuar akoma më shumë. Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ata kanë lojtarë të mëdhenj. Nuk është e vërtetë që janë në krizë. Po punojmë që të bëjmë një paraqitje të madhe ditën e diel. Nëse kemi ardhur këtu, ka ndodhur vetëm se nuk na ka hipur vetja në qejf dhe kemi menduar vetëm për ndeshjet e radhës,” komenton portieri kuqezi për sajtin lokal novara.com. Gardiani kuqezi shprehet gjithashtu se ndjehet mirë me të ardhurit e rinj në skuadër dhe se shpreson që kjo marrëdhënie të shfaqet shpejt në fushë. Gjithashtu, si një tifoz milanist që është (kundër Milanit ka bërë edhe debutimin e tij në Serie A), tregon se janë pikërisht Ibrahimoviç e Pato, sulmuesit që ka më shumë frikë. Ndër të tjera, Ujkani mendon se do të ishte fantastike nëse te Novara do të vinte dhe jë tjetër shqiptar, as më shumë e as më pak, por Erjon Bogdani. “Me lojtarët e rinj ndjehem mirë. Paçi është i madh si lojtar dhe si njeri, ashtu sikundër edhe gjithë të tjerët. Shpresojmë që ta shfaqim menjëherë këtë feeling në fushën e lojës. Bogdani te Novara? Unë e njoh mirë, ai do të ishte i lumtur të vinte këtu. Me ardhjen e tij, sulmi ynë do të fitonte një ekstra të madh: sulmuesit tanë kanë bërë një sezon shumë të mirë, jemi aq sa duhet dhe të kompletuar. Sulmuesi që më tremb më shumë? Pato dhe Ibrahimoviç, duke qenë se unë jam edhe pak milanist. Edhe te Palermo ka shumë të rrezikshëm. E njoh shumë mirë Mikolin, talent i nivelit të lartë. Pablo Gonzalesin e njoh po ashtu shumë mirë dhe shpresoj që të qëndrojë në stol. I lëmë shakatë mënjanë, mendoj se mund të luajë. Ai e meriton të qëndrojë te Palermo edhe pse konkurrenca është shumë e fortë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›