Ujkani në vend të Vivianos në Palermo

E ardhmja e Samir Ujkanit mund të jetë e lidhur me Palermon. Portieri kosovar, i huazuar në tri sezonet e fundit në Novara, mund të rikthehet gjatë kësaj vere në klubin sicilian, shkruajnë mediet italiane.
Kjo pasi portieri aktual i klubit Rosanero, Emiliano Viviano pritet të transferohet në Inter për t’i bërë konkurrencë më të fortë brazilianit Julio Cesar. Prandaj, presidenti Maurizio Zamparini po mendon qysh tash për portierin e ardhshëm.
Ai nuk e ka ndërmend të shkojë larg, por tek një portier që veç e ka të ‘shtëpisë’. Bëhet fjalë për Ujkanin, i cili është në bashkëpronësi ndërmjet Novarës dhe Palermos.
Ai ka bërë një ‘praktikë’ të mirë në tri sezonet e fundit, kështu që sezoni 2012/13 mund të jetë mundësia ideale që 24 vjeçari ta tregojë veten në klubin sicilian, ku ishte transferuar nga ekipi i të rinjve të Anderlechtit të Belgjikës.