E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ujqërit” korçarë “shqyejnë” Teutën



Skënderbeu triumfoi 3-0 ndaj Teutës në ndeshjen e prapambetur të vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore, ndërkohë që të dielën do të luajë takimin e dytë të pazhvilluar, atë kundër Shkumbinit (java 22), e që do të sistemojë përfundimisht renditjen e Superligës për kalendarin virtual të fazës së tretë.

HEROI ROSHI
Blerje dimërore e minutave të fundi e korçarëve, mesfushori Klevis Roshi, me dygolëshin e tij në harkuan e 15 minutave, 51’ e 66’, ishte dhe heroi i takimit, ndërkohë që sulmuesi kroat Milain Guerrib realizoi in-extremis (92’) tripletën e pastër të “ujqërve të dëborës”.

16 JAVË
Skënderbeu nuk e shijonte fitoren në një ndeshje të kampionatit pas një serie të gjatë prej 16 javësh, më saktë nga 19 shtatori i vitit 2009, qysh kur skuadra korçare atëherë nën drejtimin e Gert Haxhiut kishte fituar 4-1 kundër Gramozit në javën e 4-t.

100 MIJË LEKË
Me këtë trepikësh të çmuar të financuar nga lobi më i fuqishëm financiar që është afruar ndonjëherë pranë një skuadre shqiptare, “detashmenti” i Mirel Josës do të përfitojë dhe shpërblimin e majmë, 100 mijë lekë për kokë.

18 PIKË
Skënderbeu ngjit në kuotën e 18 pikëve, por duke qëndruar sërish në vend të fundit (1 pikë më pak se Gramozi, 19), ndërkohë që ka dhe një ndeshje për të luajtur nga faza e dytë, atë kundër Shkumbinit.

BILANCI
Ky ishte dhe takimi i 116-të midis dy skuadrave, ku bilanci flet në favor të Skënderbeut me 48 fitore, 35 barazime dhe 33 fitore të Teutës. Skënderbeu ka shënuar 123 gola, ndërsa Teuta, 116. Në fazën e parë, Teuta kishte fituar 2-0 me Skënderbeun në “Niko Dovana”, pikërisht kur në bankinë kishte Mirel Josën.

Kategoria Superiore
Java 20 (e prapambetur)
Skënderbeu-Teuta 3-0
Shënues: Klevis Roshi 51’, Klevis Roshi 66’, Milain Guerrib 92’

KATËR FITORET SEZONALE
TË SKËNDERBEUT

Java 1: Skënderbeu-Laçi 4-3
Java 3: Skënderbeu-Flamurtari 1-0
Java 4: Skënderbeu-Gramozi 4-1
Java 20: Skënderbeu-Teuta 3-0

DUELI JOSA-SHEHU
Ndeshja kishte edhe një sfidë specifike brenda saj, pasi përballë njeri-tjetrit ishin dy trajnerë, Mirel Josa (Skënderbeu) dhe Ylli Shehu (Teuta), të cilët ishin së bashku gjatë 19 javëve të para të këtij edicioni te skuadra durrsake.

Futbollistët me maskë
Bogdani, një “Zoro” i futbollit

Futbollistët më maskë. Duket si një serial “killer”. Një fantazi e Aleksandër Dumasë apo një Zoro në fushë. Një histori që ka hyrë tashmë në botën e futbollit. Një nga këta është edhe sulmuesi shqiptar i Kievos, Erjon Bogdani. “Më duhet të ambientohesha me diçka krejt të re. Nuk ishte e lehtë”, - tregon Erjon Bodgani eksperiencën e tij për gazetën italiane “L’Arena”. “Nuk orientohesha mirë në fushë, kisha një lodhje të tmerrshme, për të gjetur pikat e referimit. Por për fat të keq nuk kisha zgjidhje të tjera për të qenë i mbrojtur. Maska të ndihmon, ndihesh më i sigurt. Por shpesh herë nuk tregoja kujdes kur më afrohej topi apo kur kisha ndonjë kundërshtar pranë. Me duhet të ambientohesha me reflekse të reja, të pa parishikuara. Por me kohën gjithçka kalon. Sigurisht, lodhja ekziston, por duke qenë i dëmtuar në mollëzën e faqes kisha nevojë për mbrojtje. Dhe prej kësaj nuk shpëton. Dua të them, që pa këtë lloj mbrojtjeje, do të isha i detyruar të qëndroja larg fushave e nuk i dihej se kur do të rikthehesha në futbollin e luajtur”. Bogdani mban një maskë mbrojtëse në fytyrë për shkak të dëmtimit në ndeshjen me Udinezen, e ku më pas iu nënshtrua edhe një operacioni në mollëzën e majtë. Madje “Leonardo Di Kaprio” shqiptar, siç e thërrasin shokët, ka shënuar edhe një gol me me maskë para disa kohësh në fitoren 1-0 të skuadrës së parë të Kievos kundër të rinjve të klubit. Në fakt, te Kievo e njohin mirë këtë histori, pasi i ka ndodhur dhe lojtarit Lorenco D’Ana, por në futbollin italian një maskë mbrojtëse e kanë vendosur edhe Mateo Brigi, Bepe Koluci dhe Luca Rigoni.

Rivalët e medhënj, Ronaldo
hakmerret ndaj Mesit

Ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, ka rinovuar kontratën me prodhuesin amerikan “Nike”, një sponsorizim nga i cili do të përfitojë 6 milionë euro në vit, deri më 2014-n. Gjatë konferencës së tij për shtyp në Londër, portugezi riçeli disa polemika me argjentinasin e Barcelonës, Lionel Mesin, duke mos e futur fituesin aktual të “Topit të artë” midis lojtarëve më të preferuar të tij. “Kaka, Runi dhe Drogba janë të shumtë futbollistët që i vlerësoj, por nuk është se kam një të preferuar. Unë? Nuk jam thjesht një lojtar, jam… dëfryes, kjo është arsyeja përse njerëzit më duan. Futbolli është argëtim dhe ata që e duan këtë sport, më duan edhe mua. Ibra” Është i jashtëzakonshëm, po paraqitet mirë te Barça”. Kapiteni i Portugalisë flet edhe për objektivin e tij madhor: “Objektivi im personal është që të hyj në historinë e futbollit. Kur nuk do të luaj më, dëshiroj të më kujtojnë si një kampion dhe të shërbej si shembull për të rinjtë. Kjo është arsyeja përse mendoj se triumfet më të mëdha janë ato që kam arritur me skuadrat dhe jo trofetë personalë. Familja dhe nëna ime janë njerëzit që kanë më shumë. Trofetë? Dëshiroj që në Madrid të fitoj të njëjtët trofe që kam fituar me Mançester Junajtid. Botërori 2010? Portugalia nuk duhet të mposhtë vetëm Brazilin, megjithatë ndeshja e parë do të jetë më e rëndësishmja dhe shumë emocionuese. Duhet ta fitojmë. Në dy përballjet e fundit me “seleçao”-n kemi arritur të fitojmë. Ëndërroj që Portugalia të luajë në finale, ndoshta kundër Brazilit. Do të luaj kundër Kakasë, një shok skuadre, të cilin e vlerësoj shumë”.

“Bishtaleci” Baxho: “Dua të bëhem trajner”

Roberto Baxho është padyshim një nga lojtarët më të dashur të italianëve. Një kampion i madh, një fantazist, një nga ata që me shpikjet që krijon në fushë ia vlen ta shohësh edhe me një çmim të kripur të biletave. Një fenomen që lind një herë në 50 vjet, por dhe një gjeni që nuk i pëlqente kurrë rregullat e forta dhe strikte. Si në fushë ashtu dhe jashtë saj. Ishte një kampion i kompletuar, futbollisti i fundit italian që ka fituar çmimin prestigjioz, “Topi i artë” në vitin e largët 1993. Tifozët e Viçencës, Fiorentinës, Juventusit, Milanit, Bolonjës, Interit e Breshias kanë pasur fatin ta shohin të luajë me ngjyrat e fanellave të tyre, por “divin codino” (djaloshi hyjnor) ishte pa dyshim edhe një pasuri me kombëtaren Italiane, 56 ndeshje, 27 gola. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur në vitin 2004, u zhduk nga qarkullimi. Tashmë, Roberto Baxho ka një dëshirë: “Dua të bëhem trajner”. Një sfidë mbi sfidat për italianin 43-vjeçar, që nuk ka preferenca për skuadrat” “Bëj tifo për të gjitha skuadrat me të cilat kam luajtur”.

26 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›