Rritet përsëri niveli i ujit në fshatrat e Nënshkodrës
Reshjet e dendura gjatë 24 orëve të fundit kanë rritur prurjet në liqenet e hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Drin dhe për pasojë janë rritur dhe shkarkimet nga hidrocentralet. Kjo ka bërë që në zonën e Nënshkodrës, që është e prekur nga përmbytja e dytë e këtij viti, të vihet re një rritje e lehtë e nivelit të ujit. Konkretisht, rritje e nivelit të ujit është konstatuar në fshatin Obot. Sipas banorëve të kësaj zone, kishte dy ditë që uji kishte nisur të binte, por në 24 orët e fundit rritja ka qenë e ndjeshme. Një nga banorët e fshatit Obot, Nikollë Gocaj, thotë se “jemi në një situatë ku nuk dimë se çfarë do bëhet me ne. Po përmbytemi çdo dy javë. Shteti duhet të na tregojë se çfarë po ndodh, vende të tjera e parashikojnë kohën tre muaj para dhe neve duhet të na tregohet, duhet të sinjalizohemi”. Ai shton se përmbytja e dytë i ka zënë të gjithë të papërgatitur dhe askush nuk mban përgjegjësi për çka po ndodh. “Jam dakord që erdhi nga natyra, por shteti ka mjete që të shikojë ndryshimin e motit. Pastaj neve më shumë na tremb fakti se mos këto përmbytje po bëhen rutinë për çdo vit. Kjo është frika më e madhe, sepse nëse do të jetë kështu, atëherë shteti duhet të mendojë ta shpërngulë gjithë fshatin, ose të nisë të ndërtojë argjinatura mbrojtëse nga lumi Buna, pasi ky fshat kurrë nuk ka pasur argjinaturë mbrojtëse”, thotë Nikollë Gocaj, banor i fshatit që jeton në ujë që nga fillimi i këtij viti. Ndërkohë, prezenca e shtuar e ujit është konstatuar edhe në zonat e përmbytura në Komunën Dajç, në fshatrat Shirq, Darragjat dhe Gocaj; në Komunën Bushat, në fshatrat Mali i Jushit dhe Trush i Poshtëm; si dhe në Komunën Velipojë, në fshatrat çast dhe Luarëz.
#