Ukraina në udhëkryq
Ukrainasit votuan sot në zgjedhjet e para presidenciale që nga koha e revolucionit të portokalltë në vitin 2004, zgjedhje këto të cilat mund ta nxjerrin Ukrainën nga kursi i vet pro-perëndimor dhe të forcojnë marrëdhëniet me Rusinë.
Anketat e opinionit publik dëshmojnë se ish-kryeministri i Ukrainës, Viktor Janukovich, politikan pro-rus, i cili ishte në shënjestër të protestave gjatë revolucionit të portokalltë, gëzon përkrahjen e një të tretës së votuesve. Prapa tij rreshtohet kryeministrja aktuale, Yulia Tymoshenko, gjithashtu një prej kryesueseve të revolucionit në vitin 2004.
Presidenti aktual, Viktor Jushchenko, i cili u ngrit në pushtet pas revolucionit në vitin 2004, duket se nuk do të jetë në gjendje të kualifikohet për rrethin e dytë të mundshëm zgjedhor.
Ai ka tentuar që të afrohet me perëndimin dhe të reduktojë ndikimin e Rusisë në Ukrainë, duke e hidhëruar kështu Moskën. Shumë votues e konsiderojnë Jushchenkon për bllokadën politike dhe krizën ekonomike, me të cilën po përballet Ukraina.
Nëse asnjë prej 18 kandidatëve nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave në rrethin e parë, dy kandidatët me numrin më të madh të votave do të përballen mes vete në rrethin e dytë të zgjedhjeve, i cili zhvillohet më 7 shkurt.
Janukovich është zotuar se do t’i jep fund përpjekjeve të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe se do ta bëjë rusishten gjuhë të dytë zyrtare në Ukrainë. Nëse fiton, atëherë marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Gjeorgjisë me gjasë do të tendosen.
Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, ka mbështetur publikisht Tymoschenkon dhe ka dërguar me qindra vëzhgues në lindje të Ukrainës, rajon ky i cili vlerësohet si bazë zgjedhore e Janukovichit.