Iken Lekbello

Aventura zgjati pak dhe përfundoi pas dy humbjeve radhazi. Artur Lekbello nuk është më trajner i Tiranës, ndërsa ish-lojtari i shquar bardheblu ka dhënë dorëheqje përfundimtare nga posti i tij.
Në vendin e tij, bordi drejtues i klubit ka caktuar si trajner drejtorin teknik Alban Tafaj, njeriun që drejtoi ekipin edhe pas largimit të Hulian Rubio Sançezit.
E gjitha kjo ka ndodhur dy ditë pas humbjes në Korçë, 0-2 ndaj Skënderbeut, disfatë që thuajse e nxorri përfundimisht Tiranën nga të gjithë objektivat për trofe këtë sezon.
Vetëm pak ditë para humbjes në Korçë, Tirana u dërrmua 0-4 në Kukës në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, duke qenë praktikisht e eleminuar.
Lekbello u emërua si trajner i skuadrës 24 herë kampione të Shqipërisë më 17 shtator, pra e drejtoi ekipin e tij të zemrës vetëm 42 ditë, gjatë të cilave u luajtën 9 ndeshje, 6 në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë.
Trajneri pati bilanc prej 1 fitoreje, 4 barazimesh dhe 1 humbjeje në Superligë dhe 2 fitoresh e 1 humbjeje në Kupë.
Sezonin e kaluar, Tirana fitoi Kupën dhe Superkupën nën drejtimin e trajnerit spanjoll Hulian Rubio Sançez, ndërsa në prag të këtij sezoni sërish e fitoi Superkupën me trajner spanjollin që sot është tek Flamurtari.