E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta arrin 120 dollarë

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar një tjetër rekord historik, duke u kuotuar me 120 dollarë për fuçi. Krahasuar me një javë më parë, nafta dje në bursat ndërkombëtare është shitur me 10 dollarë më tepër për fuçi. Çmimi ka kërcyer me 3 dollarë për fuçi brenda pak minutash, për shkak të lajmeve se ushtria turke është duke sulmuar kurdët në territorin irakian dhe rebelët në Nigeri janë duke sulmuar puset e naftës. Rebelët kurdë kanë paralajmëruar se do të godasin interesat amerikane në Irak, për shkak se Shërbimet Sekrete të Shteteve të Bashkuara janë duke ndihmuar ushtrinë turke për të përcaktuar vendndodhjen e rebelëve. Kjo ka ngritur shqetësime te tregtarët, të cilët druhen se mos sulmet e kurdëve do të reduktojnë furnizimin me naftë nga Iraku. Por, kësaj situate të tensionuar i është shtuar edhe deklarata e zëdhënësit të një prej kompanive më të mëdha naftënxjerrëse në Nigeri, i cili njoftoi se ka mbyllur disa nga aktivitetet e saj prodhuese në këtë vend, për shkak të sulmeve rebele. Analistët thonë se efektet e këtyre çmimeve do të kishin qenë shumë më të rënda në ekonominë botërore, se sa janë aktualisht, por një pjesë e tyre janë duke u amortizuar nga dobësimi i vazhdueshëm i dollarit. Ndërkohë, në mediat e huaja janë shtuar zërat e disa ekspertëve, që e konsiderojnë këtë nivel çmimi si spekulativ dhe që nuk paraqet realitetin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›