Ulen investimet, më pak eksporte nga fasonistët
Pasiguria që biznesi has sot po reflektohet gjithmonë e më shumë tek investimet në rënie të bëra prej tij. Kjo pasiguri për disa sektorë të industrisë vjen e ndikuar nga situata në të cilën ndodhen vendet fqinje me të cilat Shqipëria ka dhe volumin më të lartë të shkëmbimeve tregtare. Raporti i INSTAT-it për tregtinë e jashtme për muajin prill nxjerr në pah një tendencë në rritje të uljes së importit të makinerive, një tregues i fortë ky i rënies së investimeve. Një vit më parë importi për pajisje dhe makineri ishte 9.9 miliardë lekë, kurse për vitin 2012, për të njëjtin muaj, vlera ka zbritur në 7.3 miliardë lekë. Një tjetër tendencë e shfaqur në raportin e INSTAT-it është edhe ajo e uljes së eksporteve të fasonëve. Këta të fundit më herët kanë lakuar se kërkesa e huaj në tregjet e Greqisë apo Italisë është ulur duke ndikuar negativisht te biznesi i tyre. Në shifra, këtë frikë të biznesit e gjejmë te raporti i INSTAT-it, ku eksporti i këpucëve dhe tekstileve është ulur me 400 milionë lekë në prill të këtij viti. Një vit më parë, për të njëjtën periudhë, volumi i eksporteve për këtë grup kapte vlerën 5.3 miliardë lekë, ndërsa në prill 2012 vlera ka zbritur në 4.9 miliardë lekë. Rënia e eksporteve për këtë kategori biznesesh nënvizon edhe një herë që kriza e fqinjëve po na ndikon çdo ditë e më shumë, por, nga ana tjetër, shton edhe frikën se një përkeqësim i mundshëm mund të lërë pa punë qindra qytetarë. Fasonët dhe tekstilet janë sipërmarrjet që punësojnë një numër mjaft të lartë individësh.
INSTAT
Raporti mbi tregtinë e jashtme për muajin prill, i publikuar nga Instituti i Statistikave, del në përfundimin se në tërësinë e tyre ecuria e eksporteve dhe importeve ka qenë në kah të kundërt. Kjo ka ndikuar edhe në ngushtimin e deficitit tregtar. Por si paraqitet në shifra situata për muajin e katër të vitit? INSTAT vlerëson se në prill u eksportuan 180 milionë dollarë lekë mallra, me një rritje 7.9 për qind krahasuar me muajin paraardhës të këtij viti, ndërkohë që nëse vlerën e shohim në raport me të njëjtën periudhë të 2011-s, rritja është 27.1 për qind. Nga ana tjetër, importet shënuan vlerën 400 milionë dollarë, duke shënuar ulje prej 9 përqindësh krahasuar me marsin e këtij viti, kurse me prillin e 2011-s ulja e importeve është 12.4 për qind. Deficiti tregtar i këtij muaji është 220 milionë dollarë, duke shënuar një ulje 19.2 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rënie 30.1 për qind krahasuar me muajin prill 2011, vlerëson INSTAT në raportin e tij.

Të dhënat e tregtisë nga INSTAT (Në milionë lekë)
NERTILA MAHO