Zgjedhja e presidentit,Meta:Ti shërbejë integrimit
TIRANË- Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka ritheksuar sot se forca që drejton është e vendosur për integrimin e vendit në BE, duke deklaruar se për këtë proces jo partiak politikanët shqiptarë duhet të ngrihen mbi të kaluarën në emër të së ardhmes.
Gjatë fjalës së tij në Konventën Zgjedhore të LGI, për zgjedhjen e kryetares së re, Meta është shprehur se integrimi i vendit nuk është slogan, por stabilitet, siguri, mirëqeni e familjeve dhe fëmijëve.
Sipas Metes sot me shume se kurre nevojitet mirëkuptim për reformën zgjedhore dhe parlamentare, për cështjen e imunitetit dhe zgjedhjen e një presidenti që t’i kontribuojë integrimit evropian të vendit.
Ngritja mbi të kaluarën është kërkesë imediate e politikanëve kudo, edhe për ne politikanët në Shqipëri, një vend tërësisht evropian, që kërkon me një shumicë dërrmuese 95% bashkimin dhe anëtarësimin në BE. Askush nuk duhet ti kundërvihet kësaj kërkese që nuk njeh përkatësi partiake, ndaj LSI qëndron e qartë dhe e vendosur për ti kontribuar këtij procesi që është historik, por edhe tepër njerëzor, ku duhet të triumfojë toleranca dhe jo arroganca, e nesërmja dhe jo e djeshmja, se presim një të nesërme më të mirë- tha Meta.