Provimi, vlerësimi me pesë shkallë
Rregullorja: Kandidati me vlerësimin “Dobët” nuk e fiton certifikatën e kualifikimit të drejtuesve
Një kandidat që ka fituar provimet e të gjitha moduleve të programit të kualifikimit ka të drejtë të marrë pjesë në provimin përfundimtar të kualifikimit për drejtues. Provimi i kualifikimit për drejtues do të organizohet nga Komisioni i provimit të kualifikimit të drejtuesve, që do të ngrihet me urdhër të ministrit të Arsimit. Sipas rregullores, në vlerësimin me pikë të një kandidati në provimin e kualifikimit të drejtuesve llogariten: bonuset (10% e pikëve totale); pikët e testit (90% e pikëve totale). Kandidati fiton pikë bonus sipas këtyre kritereve: me titull në fushën e edukimit (SHPU, Master i Nivelit të Dytë, Master Shkencor, Master Profesional, Doktoraturë, që përbëjnë 5% të pikëve. Gjuha e huaj e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe për personat që diplomohen mbas vitit 2011, e mbrojtur mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtarisht, do të ketë 5% të pikëve. “Testi i provimit të kualifikimit të drejtuesve përbëhet nga aq pjesë sa është numri i moduleve të programit të kualifikimit. Secila pjesë e testit vlerëson njohuritë për një modul të caktuar dhe ka një përqindje të caktuar të pikëve totale të testit.
Kandidati vlerësohet me pikë për çdo pjesë dhe është kalues kur ka siguruar pikët minimale për secilën pjesë. Sipas rregullores së kualifikimit të drejtuesve, vlerësimi përfundimtar i kandidatit është me pesë shkallë A, B, C, D, E, që i korrespondon vlerësimit me fjalë: “Shkëlqyeshëm”, “Shumë mirë”, “Mirë”, “Mjaftueshëm”, “Dobët”. Kandidati me vlerësimin E (“Dobët”) nuk e fiton certifikatën e kualifikimit të drejtuesve. Kandidati ka të drejtë të rihyjë në provimin e kualifikimit të drejtuesve vetëm kur është vlerësuar me E “Dobët”. “Një kandidat e fiton certifikatën e kualifikimit të drejtuesit, kur është fitues në provimin përfundimtar të kualifikimit të drejtuesve. Certifikata e kualifikimit të drejtuesve firmoset nga kryetari i Komisionit të kualifikimit të drejtuesve dhe drejtori i IZHA. Certifikatat e kualifikimit të drejtuesve përgatiten nga IZHA”, - thuhet në rregullore. Pas marrjes së kësaj certifikate, e cila është e vlefshme për një periudhë kohore 8-vjeçare, çdo kandidat për drejtues në institucionet e arsimit të detyruar do të emërohet në këtë detyrë. Sipas projektligjit të ri “Për arsimin parauniversitar”, drejtori i institucionit arsimor publik përzgjidhet me konkurrim të hapur dhe ka mandat 5-vjeçar të përsëritshëm. Ai emërohet nga drejtori i njësisë arsimore vendore përkatëse pas propozimit të dy kandidatëve të përzgjedhur nga një komision i përbërë nga përfaqësues të grupeve të interesit. Drejtuesi i njësisë arsimore vendore përkatëse shqyrton mundësinë e lirimit të drejtorit të shkollës publike nga detyra kur: nga pyetësorët e vlerësimit me nxënësit ose prindërit del se ka nivel të lartë të pakënaqësisë nga gjendja në shkollë; arritjet e nxënësve në provimet e arsimit bazë ose të maturës shtetërore për dy vite të njëpasnjëshme janë në 10% e fundit në renditjen e shkollave në nivel kombëtar; nuk janë përmbushur objektivat e planit vjetor të shkollës për dy vite të njëpasnjëshme. Drejtuesi i njësisë arsimore vendore përkatëse liron nga detyra drejtorin e institucionit arsimor publik pa përfunduar mandatin, për shkelje në përmbushjen e detyrës.
Një kandidat e fiton certifikatën e kualifikimit të drejtuesit, kur është fitues në provimin përfundimtar të kualifikimit të drejtuesve
Rregullorja
Kandidatët që futen në provim pa u trajnuar
Do të lejohen të hyjnë në provimin e kualifikimit pa marrë pjesë në trajnime:
Personat që kanë kryer studime universitare të ciklit të dytë ose të tretë në fushën e drejtimit, administrimit dhe menaxhimit të arsimit në shkolla të larta të akredituara.
Personat që ushtrojnë detyrën e drejtorit të institucionit arsimor të paktën 5 vite të plota shkollore të njëpasnjëshme deri në datën e nxjerrjes së udhëzimit të ministrit për kualifikimin e drejtuesve.
Personat që kanë ushtruar detyrën e drejtorit të institucionit arsimor për të paktën 10 vite të plota shkollore jo të njëpasnjëshme deri në datën e nxjerrjes së udhëzimit të ministrit për kualifikimin e drejtuesve.
Kriteret për të kandiduar për drejtues
Aplikon për të fituar certifikatën e drejtuesit personi që:
Ka kryer studime universitare të ciklit të dytë ose të tretë në fushën e drejtimit, administrimit dhe menaxhimit të arsimit.
Ose ka marrë diplomën e mësuesit sipas kritereve të nivelit përkatës të arsimit, ka të paktën kategorinë e tretë të kualifikimit të mësuesve dhe në provimin e kualifikimit të mësuesve është vlerësuar të paktën “Mirë”.
Personat, të cilët aplikojnë për certifikatën e drejtuesit nuk duhet të jenë në proces administrativ ose penal.
Duhet të paraqesin dy rekomandime pozitive nga eprorë të drejtpërdrejtë, me të cilët kanë punuar gjatë pesë viteve të fundit.
Vlerësimi i kandidatit në provimin e kualifikimit
Në vlerësimin me pikë të një kandidati në provimin e kualifikimit të drejtuesve llogariten:
Bonuset (10% e pikëve totale)
Pikët e testit (90% e pikëve totale)
Kandidati fiton pikë bonus sipas këtyre kritereve:
Me titull në fushën e edukimit (SHPU, Master i Nivelit të Dytë, Master Shkencor, Master Profesional, Doktoraturë, 5% të pikëve)
Gjuha e huaj e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe për personat që diplomohen mbas vitit 2011, e mbrojtur mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtarisht, 5% të pikëve.
Testi i provimit të kualifikimit të drejtuesve përbëhet nga aq pjesë sa është numri i moduleve të programit të kualifikimit.
Secila pjesë e testit vlerëson njohuritë për një modul të caktuar dhe ka një përqindje të caktuar të pikëve totale të testit.
Kandidati vlerësohet me pikë për çdo pjesë dhe është kalues kur ka siguruar pikët minimale për secilën pjesë.
Vlerësimi përfundimtar i kandidatit është me pesë shkallë A, B, C, D, E, që i korrespondon vlerësimit me fjalë: “Shkëlqyeshëm”, “Shumë mirë”, “Mirë”, “Mjaftueshëm”, “Dobët”.
Kandidati me vlerësimin E (“Dobët”) nuk e fiton certifikatën e kualifikimit të drejtuesve. Kandidati ka të drejtë të rihyjë në provimin e kualifikimit të drejtuesve vetëm kur është vlerësuar me E, “Dobët”.
Emërimi në detyrë i drejtuesit
E ndërpresin ushtrimin e detyrës së drejtuesit nëse nuk aplikojnë për këtë detyrë: Kandidatët, të cilët nuk fitojnë provimin e një moduli që zhvillohet nga agjencia trajnuese;
Kandidatët që nuk fitojnë provimin e kualifikimit të drejtuesve;
Drejtuesit, të cilët nuk regjistrohen për trajnime, kur u është ofruar mundësia për t’u trajnuar për programin e kualifikimit të drejtuesve;
Vazhdojnë ta ushtrojnë detyrën e drejtuesit ose mund të aplikojnë për këtë detyrë personat që ende nuk u është ofruar mundësia për t’u trajnuar për programin e kualifikimit të drejtuesve.