E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet interesi, kostoja e euros në nivelin më të ulët historik, 1%

Banka Qendrore Europiane ka ulur normën bazë të interesit për euron në nivelin më të ulët historik, prej 1%, ashtu siç pritej edhe nga tregjet financiare ndërkombëtare. Ulja me 0.25% e kostos së euros ndodh ndërsa kriza dhe recensioni kërcënojnë eurozonën.

Vendimi i Bankës Qendrore Europiane është marrë pak përpara zhvillimit të samitit të BE-së, ku do të përpilohet një plan për shpëtimin e monedhës europiane. Sytë e të gjithëve do të përqendrohen tek Presidenti i BQE-së, Mario Drahgi, i cili do të dalë në një konferencë për shtyp pas takimit. Kjo është ulja e dytë e normës së interesit për euron, që kur Draghi mori presidencën e BQE-së muajin e kaluar. Ulja e parë e kostos së euros, ndodhur ditën kur ai mori detyrën, e përmbysi drejtimin e politikave financiare të Bankës Qendrore Europiane. Nën drejtimin e paraardhësit të tij, Zhan Klod Trishe, banka kishte nisur gjatë verës rritjen e normave të interesit për të shmangur inflacionin e lartë. Ulja e dytë i ka rikthyer normat e interesit në nivelin 1% që kishte mbizotëruar që nga vera e vitit 2009, deri në fund të 2010-ës, si përgjigje ndaj krizës financiare botërore dhe recensionit. Të dhënat nga Banka Qendrore Europiane paraqitën një tablo të vështirësive dhe sfidave të bankave europiane për t’u financuar në tregjet e kapitalit. Të dhënat e bankës treguan se borxhmarrja e emergjencës që kryejnë bankat tregtare përgjatë natës, u rrit në pothuajse 9 miliardë euro. Vlera paraqet pikën më të lartë në 9 muajt e fundit. Ndërkohë, statistika tregoi se kreditimi në dollarë amerikane për bankat tregtare u rrit në pikën më të lartë 3-mujore. Të dhënat janë përtej parashikimeve të analistëve, të cilët në koment të statistikës thanë se ato tregojnë qartësisht stresin e financimit, që sistemi bankar europian po has në treg për shkak të krizës së borxheve. Që nga dita kur 6 bankat qendrore të botës ulën interesat për kreditimin në dollarë amerikanë, bankat europiane kanë marrë në total më shumë se 50 miliardë dollarë. Banka Qendrore Europiane tha se bankat kërkuan 50.7 miliardë dollarë në financimin 84-ditor dhe 1.6 miliardë dollarë për financimin një javor. Të dhënat janë shumë herë më të larta nga parashikimi i analistëve për totalin e 10 miliardë dollarëve. Tregtarët thanë se kërkesa e lartë për monedha amerikane ka 2 faktorë. Së pari, nevojën e veçantë të Spanjës dhe të Portugalisë për financim në monedhën amerikane, si dhe pjesa tjetër, nevojat e bankave tregtare për qëllimet e arbitrazhit. Por analistët thonë se pavarësisht ofertës në interes të ulët për monedhën amerikane, ndikimi i saj real në lehtësimin e problemeve të financimit për bankat europiane është i mbivlerësuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›