Bankat kalojnë testin e rënduar të rezistencës për vitin 2012
Banka e Shqipërisë përfshiu bankat në një ushtrim rezistence, sipas një skenari mjaft të rënduar për vitin 2012. Rezultatet, sipas BSH tregojnë se bankat e kaluan provën
Bankat kalojnë testin e rënduar të rezistencës edhe për vitin që vjen. Sipas një ushtrimi prove që Banka e Shqipërisë bëri ndaj sistemit bankar, ku u hamendësua një zhvlerësim i lekut 20 për qind, një rritje ekonomike jo më shumë se 2 për qind dhe një tepricë e kredisë 9 për qind rezultoi, se bankat i shpëtojnë falimentit. Ushtrimit të rezistencës sipas skenarit më të keq i rezistuan pothuajse të gjitha bankat, duke dhënë një garanci edhe për vitin 2012 për veprimtarinë e sistemit bankar në vend. Nëpërmjet testit të rezistencës me vështrim nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë vëren se sistemi financiar dhe mjaftueshmëria e kapitalit për sektorin bankar janë stabël për një hark kohor deri në fund të vitit 2012. Ushtrimi i provës së rezistencës vlerëson ndikimin e situatave makroekonomike në gjendjen financiare të sektorit bankar, duke përjashtuar mundësinë e rritjes së kapitalit të paguar gjatë periudhës së marrë në konsideratë. Në praktikë, situata zakonisht përkeqësohet gradualisht dhe bankat kanë kohë të marrin masat e nevojshme, duke injektuar kapital. Ushtrimi që Banka e Shqipërisë bëri ndaj bankave u bazua në dy skenarë. Skenari bazë u ndërtua mbi parashikimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë, mbështetur kryesisht në ecurinë e tyre historike, ndërsa skenari i rënduar supozoi një situatë të “stresuar” me një probabilitet të ulët ndodhjeje, duke u mbështetur në tri goditje të mundshme në ekonominë shqiptare. E para: një ngadalësim i mëtejshëm i kreditimit, e dyta: rritje e normave të interesit të tregut, dhe e treta: nënçmim i monedhës vendase. Kështu, Banka e Shqipërisë ka llogaritur një probabilitet të përballjes me vlera ekstreme, larg mesatares, të raportit të kredive me probleme është më i lartë në skenarin e rënduar krahasuar me skenarin bazë. Në këtë skenar është llogaritur ndikimi i portofolit të kredive me probleme në madhësinë e kapitalit dhe të aktiveve me rrezik për secilën bankë dhe për sektorin bankar në tërësi. “Në përfundim, ushtrimi i provës së rezistencës tregon se në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të forta makroekonomike, të cilat ndikojnë në përkeqësimin e portofolave të kredive të bankave dhe për pasojë në rritjen e shpenzimeve për provigjione, rënien e rezultatit financiar dhe rënien e pozicionit të kapitalizimit të veprimtarisë”, - tha Banka e Shqipërisë pas rezultateve të testit të rezistencës. Por sipas saj, ndjeshmëria e bankave të veçanta ndaj goditjeve të supozuara është rritur, ndaj bankat duhet të vlerësojnë përshtatshmërinë e treguesve të kapitalizimit të veprimtarisë dhe të fuqizojnë pozicionet e tyre të kapitalit. Në një afat më të shkurtër, Banka e Shqipërisë vlerëson dhe ka kërkuar që sektori bankar duhet të fuqizojë kapitalizimin e veprimtarisë, nëpërmjet rritjes së kapitalit nga aksionerët. Banka e Shqipërisë e ka orientuar dhe monitoruar nga afër këtë proces, në mënyrë që ai të kryhet në përputhje me strategjitë e zhvillimit të veprimtarisë bankare dhe ecurinë e rreziqeve përkatëse. Procesi i forcimit të treguesve të kapitalizimit në sektorin bankar përfshin krijimin e madhësive të mjaftueshme të kapitalit mbi nivelin minimal të kërkuar. Procesi vijon të ecë sipas përcaktimeve në komunikimin që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar me sektorin bankar. Si rezultat i këtyre masave, sektori bankar do të mbetet i qëndrueshëm dhe do të krijojë kushtet për rritjen e kontributit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit.