Ulet në tokë anija “Atlantis”

Ulja e sukseshme dhe e sigurtë për anijen kozmike “Atlantis”, i dha fund misionit 30 vjeçar që dërgoi në hapësirë qindra astronautë. “Atlantis” ka mbërritur tashmë në Florida, në qendrën hapësinore Kenedy.
Ky mision i dha fund programit 30 vjeçar orbital të Amerikës. Programi amerikan i fluturimit në hapësirë përfundoi sot zyrtarisht, pas 30 vjetësh ekzistencë dhe 135 misioneve. Tani e tutje, raketat ruse Soyuz do të dërgojnë astronautë në hapësirë, derisa NASA të gjejë kompani private për të ndërtuar anije të ngjashme.
Disa kompani, përfshirë Boeing, janë duke zhvilluar anije kozmike, por asnjëra nuk pritet të jetë gati deri në vitin 2015. Më 8 korrik të këtij viti, anija kozmike amerikane “Atlantis” nisi fluturimin e saj të fundit në hapësirë. Anija Atlantis u nis nga Qendra e Hapësirës Kenedi në shtetin jugor të Floridës.
Ekuipazhi i saj prej katër personash, dërgoi furnizime, pajisje dhe disa eksperimente shkencore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës gjatë misionit 12-ditor.
Misioni Atlantis është i 135-ti dhe i fundit i programit 30-vjeçar amerikan të anijes së hapësirës, i cili ka luajtur një rol të rëndëishëm në ndërtimin dhe funksionimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. NASA thotë se po i jep fund misioneve të kësaj flote për t`u përqendruar tek eksplorimi i hapësirës më të largët.