Ulet norma bazë, pritet lehtësimi i kredive
Fullani: Sistemi bankar duhet ta kuptojë drejt rolin e tij, duke transmetuar të plotë dhe me shpejtësi këtë lehtësim
BSH ul me 0.5 për qind normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar në 5.25 %. Ulja e dytë, brenda vitit
TIRANË-Vështirësitë e hasura në gjetjen e likuiditeteve në treg bëjnë që Banka e Shqipërisë të shohë të nevojshme ulje me 0.5 për qind të normës bazë të interesit për lekun duke e zbritur në nivelin e 5.25 për qind. Norma bazë e interesit përfaqëson interesin e marrëveshjeve të huasë (riblerjes) mes bankave të nivelit të dytë dhe Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e publikoi dje vendimin e marrë në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, i cili sipas tij është bërë duke pasur parasysh uljen e kostos së kreditimit për ekonominë e vendit.
"Kjo ulje është në linjë me porositë BSH për rritjen e kreditimit dhe ftesën ndaj financimeve të huaja direkte. Rritjet e ritmeve të kreditimit janë një kusht parësor për një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit. Ky vendim përbën një stimul të ri për zhvillimet ekonomike në vend, duke synuar një ulje të mëtejshme të kostos së financimit të ekonomisë.
Banka e Shqipërisë gjykon se stabilizimi i treguesve të likuiditetit dhe atyre të bilancit të sistemit bankar duhet t'i hapë rrugë procesit të kreditimit", - tha dje Fullani. Edhe ekspertë të fushës e cilësojnë pozitive uljen e normës bazë të interesit megjithëse duke marrë në konsideratë situatën duhej të ishtë bërë në një periudhë më të hershme.
"Është një hap pozitiv dhe pritet një lehtësim i kreditimit, gjithsesi kjo varët edhe nga masa me të cilën bankat e nivelit të dytë do ta pasqyrojnë atë në treg", - theksoi Pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë, Adriatik Kotorri, i pyetur për ndikimet që do të ketë ky vendim.
Për sa i përket çështjes së kredive, guvernatori Fullani i kërkoi bankave që të jenë të gatshme për një pasqyrim sa më të shpejtë në uljen e kostos së kredive. "Sistemi bankar shqiptar duhet ta kuptojë drejt rolin e tij, duke transmetuar të plotë dhe me shpejtësi këtë lehtësim të politikës monetare në ekonomi", - tha Fullani.
Duke theksuar rëndësinë e kreditimit për zhvillimin ekonomik të vendit Guvernatori BSH-së, theksoi faktin se më shumë se ndaj flukseve afatshkurtra, vendi duhet të orientohet ndaj financimeve afatgjata dhe të qëndrueshme.
Gjatë fjalës së tij Fullani ka vënë theksin edhe tek rritja e shpenzimeve kapitale dhe ngadalësimi i ritmeve të të ardhurave në buxhet. Sipas Fullanit, rritja me 23 për qind e shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe të rritjes së huamarrjes publike.
"Në terma vjetorë, shpenzimet buxhetore kanë shënuar një rritje prej 23 për qindësh gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar kryesisht rritjen e shpejtë të shpenzimeve kapitale.
Të ardhurat buxhetore kanë pasur një ecuri më të ngadaltë se shpenzimet, si pasojë edhe e ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe. Për rrjedhojë, shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe të rritjes së huamarrjes publike", - tha ai.
I pyetur për ndikimet që do të sjellë vendimi i BSH-së në kursin e këmbimit të lekut me monedhat e tjera, Fullani theksoi se e rëndësishme për institucionin që ai drejton është mbajtja e inflacionit në kufijtë e lejuar.
"Kursi i këmbimit është në shtratin e tij të kërkesës dhe ofertës. Masa qe vjen sot është që inflacioni të jetë në kontroll dhe BSH garanton që inflacioni do të jetë në nivele të ulëta"-, tha ai. Për herë të fundit BSH uli normën bazë të interesit po me 0.5 për qind në janar të këtij viti me qëllim rritjen e sasisë së likuiditetit në treg.
Fullani-Qeverisë: Kujdes me deficitin buxhetor
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, theksoi edhe njëherë rëndësinë që mbart për ekonominë e vendit mbajtja në kontroll e deficitit buxhetor nga ana e qeverisë.
Gjithashtu, gjatë konferencës së djeshme për shtyp ku bëri publike edhe vendimin për uljen me 0.5 për qind të normës bazë të interesit, Fullani kërkoi nga qeveria që të hartojë një buxhet sa më realist për vitin 2010 në mënyrë që të gjenerohen fondet e nevojshme për ekonominë.
"Për momentin ne gjykojmë që sugjerimet tona për qeverinë janë që medoemos deficiti duhet të mbyllet sipas parashikimit dhe çka është e rëndësishme duhet medoemos që të kemi një buxhet realist për vitin 2010 ne mënyrë që të gjenerojmë fondet e nevojshme si nga jashtë ashtu edhe nga tregu i brendshëm. Duhet një kujdes i shtuar financiar për sa i përket deficitit", - tha ai.
Deklarata e Guvernatorit Fullani për hartimin e një buxhet sa më realist dhe ruajtjen në kuota të pranueshme të deficitit buxhetor vjen një ditë pas asaj të përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vend, Geruin Bell, sipas të cilit deficiti ka arritur në nivelin e 6.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Një ruajtje në kuotat e parashikuara e deficitit buxhetor nga qeveria, sipas Fullanit do të përkthehej në lehtësira në gjetjen e financimeve për ekonominë.