Ulet serish cmimi i naftes ne tregun shqiptar
Ulet sërish çmimet e naftës në tregun vendas, duke reflektuar tkurrjen e çmimeve të këtij produkti në tregjet ndërkombëtare. Rënia ka qenë me 4-6 lekë për litër, duke e çuar benzinën mesatarisht në 170-180 lekë, në krahasim me deri në 190 lekë që arrit në fillim të vitit, kur karburantet shënuan nivele rekord të larta. Nafta tregtohet nga 160 deri në 170 lekë për litër, nga deri në 185 lekë, që ishte në janar të këtij viti.
Kjo reflekton rënien e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, ku krahasuar me fillimin e prillit çmimi ka rënë me gati 30 dollarë për fuçi ose mbi 23 për qind.
Importuesit thonë se një nga arsye se pse rënia e çmimit nuk reflektohet e plotë në tregun vendas lidhet me kursin e këmbimit të lekut me dollarin. Nafta blihet në dollar dhe forcimi i monedhës amerikane e bën atë më të shtrenjtë në lekë.
Nafta bruto amerikane për dorëzimet në gusht ra në 77.69 dollarë për fuçi në Bursën e Nju Jorkut, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2011. Kjo është një nga rëniet më të forta brenda një kohe të shkurtër, e shkaktuar nga përkeqësimi i situatës ekonomike botërore dhe rikthimi i shqetësimeve për thellimin e krizës. Gjithashtu, kontratat për të ardhmen, kanë rënë me 25% këtë tremujor, duke shënuar tkurrjen më të madhe që prej tre muajve të fundit të vitit 2008.
Ndërkaq aplikimet për përfitime papunësie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin afër niveleve më të larta të vitit, duke nënkuptuar se më pak punonjës do të kenë nevojë për naftë në mënyrë që të shkojnë në punë.