Abidal do të kthehet

Barcelona duhet të mendojë për ndeshjet në vazhdim në La Liga, në ndjekje të liderit Real Madrid si dhe planifikojë përballjet me Milanin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Por, është e pamohueshme se gjiganti katalan ka një tjetër brengë që duhet ta tejkalojë, atë rreth gjendjes shëndetësore të mbrojtësit Eric Abidal. Më 17 mars të vitit të kaluar, ylli francez ishte operuar për të larguar tumorin në mëlçi, kurse tani e pret një sfidë e re, po aq vendimtare në jetën dhe karrierën e tij.
Kurse, më herët gjatë kësaj jave Barcelona njoftoi se Abidal duhet t’i nënshtrohet një transplantimi të mëlçisë që edhe pse u përshkrua si “është opsion i konsideruar nga fillimi i tretmanit të tij, një vit më parë”.
Kurse Rafael Matesanz, president i Komitetit Kombëtar të Transplantimeve në Spanjë, ka shfaqur dyshime nëse Abidal do të jetë në gjendje të luajë sërish. Por, ai ka përkrahjen e gjithë bashkëlojtarëve të tij por edhe mbarë bota e futbollit të cilët e përkrahin dhe besojnë se do të fitojë edhe këtë betejë njësoj si të parën, dy muaj pas së cilës ishte aktivizuar në minutat e fundit të ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në Nou Camp.
“Kjo që i ka ndodhur Abidalit dhe më herët Tito Vilanovas i ndodh edhe shumë familjeve në botë. Tito është më mirë, Abidal është i sëmurë dhe duhet të shërohet por ne e dimë se ai do tija arrijë. Na ka të gjithë neve afër tij sepse është një person shpirtmirë. Me rëndësi është të shërohet, ndërsa ne jemi të bindur se ai do të fitojë edhe këtë betejë”, deklaroi trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola.
Futbolli në raste si ky kalon në plan të dytë. Guardiola ka lavdëruar Abidalin duke theksuar se “nuk është lehtë kur e dini se brenda trupit tuaj ka diçka që nuk është në rregull”. Trajneri ka njoftuar se prej disa ditësh është në dijeni për gjendjen e Abidalit. “Kam biseduar me të dhe i kam thënë se duhet të vendos vet ai se kur të pensionohet. Por nuk kaloi asnjë ditë e plotë dhe ai donte të stërvitej dhe të luaj. Jam i befasur nga fuqia dhe vullneti i tij, nëse do të varej prej tij, Abidal do të luante edhe nesër. Por, tani duhet të shërohet” përfundoi Guardiola.
Njësoj si trajneri, edhe bashkëlojtarët si Xavi, Cesc Fabregas, Cuenca, Andres Iniesta e shumë të tjerë kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të shprehur përkrahjen e tyre për Abidalin dhe besimin për rikthimin e tij në fushë.
Përveç tyre, edhe bashkëkombësi i Abidalit, drejtori i Real Madridit, Zinedine Zidane është shprehur i sigurt se “Eric është shumë i fuqishëm. Moralisht ai tashmë e ka fituar këtë betejë të cilën duhet luftuar me kokë”. Kurse Abidal nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Twitter la një porosi për të gjithë. “Do të kthehem”.