E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e kolesterinës ndihmon të sëmurët me diabet

Studimi

Ulja drastike e nivelit të lartë të kolesterinës ndihmon pacientët me diabet për të përmirësuar gjendjen e artereve të tyre. Kështu thuhet në një studim të kryer nga shkencëtarët e institutit kombëtar kundër sëmundjeve të zemrës, mushkërive dhe gjakut. Tek pacientët që e ulën nivelin e kolesterinës së keqe në 70, trashësia e artereve u pakësua dukshëm, ndërsa tek pacientët ku niveli i kësaj kolesterine ra nën 100, trashësia e artereve të zemrës u shtua. Këto rezultate po i bëjnë mjekët të pyesin se cila është shkalla e duhur e nivelit të ulët të kolesterinës së keqe apo LDL. Sipas studimit, në qoftë se ulja e nivelit të kolesterinës së keqe pakëson rrezikun për goditje në zemër, atëherë sa më i ulët (deri në një shkallë të caktuar) ky nivel, aq më shumë pakësohet ky rrezik – të paktën për pacientët me diabet të tipit 2. Për 3 vjet me radhë, shkencëtarët ndoqën nga afër gjendjen e 500 pacientëve me diabet. 250 prej tyre u trajtuan duke pasur për synim uljen e nivelit të kolesterinës së keqe nën 100. 250 pacientët e tjerë iu nënshtruan një trajtimi agresiv me ilaçe, me synimin për ta ulur nivelin e kolesterinës së keqe nën 70. Pjesëmarrësve iu dha një ilaç, Statin dhe nëse kishin nevojë edhe ilaç Zetia, i cili bllokon kolesterinën në një tjetër mënyrë. Rezultatet treguan se lloji i ilaçit nuk luajti ndonjë rol. Tek ata që iu nënshtruan trajtimit agresiv, trashësia e artereve të tyre u hollua. E kundërta ndodhi me grupin tjetër të pacientëve që u trajtua në mënyrë tradicionale për uljen e nivelit të kolesterinës. Tek ata u shtua rreziku për bllokim arteresh dhe goditje në zemër.

Ekspertët thonë se këto rezultate nxisin edhe më shumë debatin në qarqet mjekësore, se deri në çfarë shkalle duhet ulur niveli i kolesterinës së keqe. Tani për tani argument është se ky nivel duhet të jetë nën 100 për të gjithë pacientët në moshën e mesme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›