E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anila Jole, cdo dite jetoj nje histori



Të gjithë e thërrasin “Jole”, por pak e dinë romanin e këtij mbiemri

Shumica i thërrasin Jole, disa të tjerë (sidomos gratë) e quajnë spikerja. Gazetarja Anila Jole i përket brezit të ëndrrës për gazetarinë e lirë. Vajza nga Korça nuk e dinte se takimi me Adi Krastën (që drejtonte radion “Koha” në 1997) do ta detyronte të bënte gati valixhet për të jetuar në Tiranë, duke i thënë lamtumirë Korçës dhe punës në RTV Korça, për të punuar në radio “Koha” si gazetare e folëse. Më pas, Jole spikat me grintë e racionalitet, duke punuar si gazetare e kryeredaktore në TV Koha, drejtuese e agjencisë së lajmeve “Balkanëeb” dhe radio “RASH”. Më pas për disa vjet punoi zëvendëskryeredaktore në televizionin “News 24” dhe drejtuese informacioni në A1 TV. Së fundmi, Anila punon në “Top Media”. Është redaktore përgjegjëse në “Top Neës”. Gjatë takimit me të, kuptova se në gazetari ka femra të mprehta, por disa prej tyre për “efekt” modestie nuk vrapojnë për të marrë “zemrën e luanit”. Në këtë intervistë për “standard”, gazetarja Anila Jole rrëfen përvojën e saj në gazetari. Dhe jo vetëm kaq; ajo rrëfen për veten, familjen, miqtë dhe tregon për një libër që ka dëshirë të shkruajë. Qëllimi janë rrënjët e hershme të familjes së saj, por frymëzimi është gjyshe Magdalena (nga Sofja e Bullgarisë), e cila braktisi gjithçka kishte të shtrenjtë për një dashuri shqiptare. Ajo mendon se një mbiemër nuk është thjesht i tillë; gjithsecili mbart me vete një histori, që na bën të jemi këta që jemi. Të gjithë e thërrasin “Jole”, por jo të gjithë e dinë atë "romanin" që mban brenda ky mbiemër….!

Në mjediset gazetareske njiheni si “Jole”. Më kanë thënë se dikur në kompaninë “Koha jonë” kishte shumë Anila. Ky ishte shkaku?

Gjithmonë më kanë thirrur Jole, që në shkollën fillore e deri tani. Ndoshta, sepse është një mbiemër i shkurtër e i thjeshtë, lehtësisht i shqiptueshëm. Sa për përdorimin e mbiemrit tim për dallimin nga Anilat e tjera, nuk e kisha menduar. Ndoshta! Si është historiku i mbiemrit tuaj?

Mbiemri Jole është mbiemri i vajzërisë së gjyshes sime, nënës së babait. Ajo ishte bullgare, Magdalena Jole. Babai im e mori këtë mbiemër në kujtim të nënës së tij. Mua më pëlqen shumë edhe për faktin se është i vetmi. Në Shqipëri nuk ka Jole të tjerë.

Duhet të ketë qenë një dashuri e madhe ajo që e solli Magdalenën në Shqipëri?

Ishte vërtet një histori shumë e bukur dashurie, e një djali të ri që u dashurua me një vajzë sykaltër nga Sofja, e cila me martesën e saj bëri edhe sakrificën më të madhe të jetës; nuk e pa më kurrë familjen dhe vdiq me mallin për vendin dhe njerëzit e saj. E kam menduar ta shkruaj gjithë këtë histori të bukur dhe do tentoj të futem me thellë në rrënjët e familjes sime.

Ju keni hyrë në gazetari në një kohë shumë revolucionare dhe i përkisni brezit të parë të gazetarisë së lirë. Si e kuptonit atëherë profesionin?

Unë i përkas një brezi që u rrit me ëndrra shumë të bukura, që luftoi shumë për t’i bërë realitet dhe që filloi të punojë me përkushtim dhe idealizëm për të bërë një Shqipëri të mirë. Edhe gazetaria atëherë si shumëçka nisi me idealizëm. Një mikrofon apo një kamera ishin një privilegj, dhe falë tyre Shqipëria që nga ato vite ka një histori të shkruar me fakte më të lexueshme.

Çfarë ka ndryshuar në këto 10 vite?

Më duket se nuk është më ai pasioni i dikurshëm. Edhe gazetarët gjithashtu nuk janë më ata idealistët dhe guximtarët që nuk bënin asnjë kompromis. Gjithçka edhe tani matet, por jo gjithmonë me audiencë dhe lexues...

A është media një treg me rregulla të qarta ku mbizotërojnë profesionistët?

Në Shqipëri fatkeqësisht nuk ka asnjë treg me rregulla të qarta dhe këtu nuk bën përjashtim as media. Sidoqoftë ka shumë gazetarë profesionistë, të cilët e ngritën, e emancipuan median shqiptare dhe vazhdojnë të punojnë ende në tentativë të palodhur, për ta mbajtur atë pararendësen e zhvillimit dhe përparimit shoqëror. Sa për joprofesionistët, as media nuk mund të shpëtojë prej tyre, por jam e bindur se koha është rregullatori më i mirë i këtij raporti.

Çfarë e bën një gazetar të mirë? Po të keq?

Një gazetar që aspiron të vërtetën është gjithmonë një gazetar i mirë. Ndërsa, një gazetar i keq? Më mirë i keq sesa një gazetar i shitur dhe servil.

Të gjithë kanë një pikënisje që zakonisht niset me një emër, me dikë që i ka besuar dhe i ka dhënë shansin. Ju keni një të tillë?

Edhe fillimet e mia lidhen natyrisht me një emër, me atë që më hapi dritën jeshile në rrugën e vështirë të gazetarisë këtu në Tiranë. Pas një përvoje modeste në radio-televizionin e Korçës në vitet ’94-’97 dhe me një dëshirë të madhe për median, doja të bëja më shumë. Në atë kohë kishte filluar të transmetonte radio “Koha” dhe dëshirova me gjithë zemër të ulesha para mikrofonit të saj. Drejtor i radios ishte Adi Krasta. Pas një bisede të gjatë me të, që në gjuhën e sotme të marrëdhënieve punëmarrës-punëdhënës do të quhej “intervistë pune”, Adi ma tha fare thjesht se që atë ditë mund të bëhesha pjesë e stafit të radios, që në atë kohë (1997) kishte filluar të dëgjohej jashtëzakonisht.

Ishte drita jeshile që u hap në këtë udhëkryq të jetës sime e i dha asaj një drejtim. Për këtë i jam mirënjohëse dashamirësisë dhe mbështetjes së Adi Krastës.

Flasim pak për ju. Jetoni në një apartament të vogël në Tiranë. Vetëm. Më thoni anët e mira dhe anët e këqija të vetmisë.

(qesh) Shumë pak kohë qëndroj vetëm, pasi puna merr një pjesë të madhe të kohës, por kohën time të lirë, përpiqem ta shpenzoj sa më shumë në shtëpi.

Të kthehesh e lodhur apo e stresuar nga një ditë jo e mirë, të duket këndshëm, kur në shtëpi nuk gjen askënd për t’u shpjeguar pse nuk të qesh fytyra, apo pse nuk do të hash...

E parë nga një kënd tjetër, ka ditë që dëshiron ta ndash trishtimin apo shqetësimin me dikë. Por nuk është kjo vetmia. Vetmi është kur askush nuk u përgjigjet telefonatave të tua, kur nuk ke askënd për të të dëgjuar e për të folur me ty. Dhe mua fatmirësisht kjo nuk më ka ndodhur kurrë.

Cila është gjëja e parë që bëni në mëngjes?

Oh, para gjithçkaje një kafe frape me qumësht të ngrohtë shërben për të më zgjuar plotësisht. 10-15 minuta i rezervohen dhe i kushtohen kafesë në mëngjes, pavarësisht se në ç’orë jam zgjuar. Kafetina e saj mjafton thuajse për gjithë ditën, nuk pi më kafe të tjera.

Cili është raporti me kohën që ikën? Po me kohën që vjen?

Koha që ikën është njëherësh jeta që ka kaluar. Është gjithçka ke ditur ta bësh siç duhet apo gjithçka tjetër që ka shpëtuar aksidentalisht nga duart. Koha që ikën është një pjesë e ekzistencës, rritja, pjekuria, gëzimi, lumturia, hidhërimi, humbja dhe dhimbja, përvoja e një jete të jetuar. Koha që vjen është shansi për të vlerësuar më mirë çdo minutë e çdo ditë e për t’i dhënë kësaj jete më shumë nga shpirti dhe fuqia e një femre.

Ju jetoni më shumë në të shkuarën, të tashmen, apo të ardhmen?

Nuk mund të dish ku shkon, nëse nuk e di se nga vjen. Nuk e harroj kurrë të kaluarën, sepse me të lidhet jeta ime, njerëzit e mi të dashur, pa të kaluarën time nuk do të isha ajo që jam sot, por natyrisht nuk jetoj me të. Vlerësoj jashtë mase të tashmen dhe jam e kujdesshme ta përdor mirë atë. Por edhe ëndërroj. Nuk është keq të ëndërrosh apo jo?

A po jetoni një histori?

Çdo ditë jetoj një histori, me personazhe të vjetër e të rinj, me gjithçka sjell një ditë e re.

E kam fjalën, a keni një mik?

(Qesh) ....

Keni “facebook”, nëse po, sa miq keni?

Më pëlqen shumë bota virtuale dhe fotografitë. Kam “facebook” dhe kam shumë miq virtualë. Këmbej mesazhe me shumicën e tyre dhe kjo më bën të ndihem mirë.

Çfarë janë miqtë?

Miqtë janë pjesë e jetës sime, janë ata me të cilët flas me zemrën në dorë, pa u kujdesur për të seleksionuar temat e bisedës dhe fjalët, ata që i kam pranë sa herë kam nevojë e që më thonë gjithmonë gjënë e duhur. Pa miqtë, ditët nuk do të kishin përmbajtjen që kanë.

Më thoni emrat e miqve tuaj më të dashur?

Oh, janë shumë emra dhe janë shumë të bukur... (qesh). Në kuptimin klasik të fjalës mik, kam disa miq të ngushtë, me të cilët edhe fizikisht jam çdo ditë pranë. Me ta ndaj gjithçka dhe jemi të pranishëm në momentet më të rëndësishme të njëri-tjetrit. Janë gjithashtu edhe disa njerëz të tjerë, me të cilët jeta më ka takuar në rrethana të veçanta, për të krijuar me ta një marrëdhënie po aq të veçantë, të cilën e ruaj dhe e kuroj me fanatizëm dhe kujdes, pavarësisht koordinatave, në të cilat marrim frymë. Një tjetër marrëdhënie e veçantë që besoj se pakkush e ka, është lidhja ime e fortë me 4 persona që i kam veçanërisht të dashur, edhe pse në shumicën e kohës nuk janë pranë meje. 3 mbesat e mia dhe nipi, Dorina, Olisa, Ilektra dhe Nertili janë miqtë e mi të rrallë, pa të cilët jeta ime do të ishte me siguri ndryshe (jam bërë teze e hallë kur isha fare e vogël). Ndihem jashtëzakonisht me fat që i kam, dhe krenare për marrëdhënien dhe dashurinë mes tonë.

Ju shoh që mbani kryq, çfarë është Zoti për ju?

Nuk jam një praktikante e fesë, por besoj një Zot që predikon se njerëzit duhet ta duan njëri-tjetrin. Pa dashurinë jeta nuk do të ekzistonte dhe unë besoj tek ajo. E kam fjalën për dashurinë në kuptimin më të gjerë të saj.

Për çfarë luteni më shumë?

Rrallë shkoj në Kishë, dhe ajo për të cilën lutem kur ndez një qiri, është “shëndet dhe dashuri për njerëzit e mi më të dashur”.

Çfarë ju trishton në shumë?

Dhuna. Të shoh të ushtrohet dhunë, më bën të ndihem shumë e trishtuar.

Çfarë ju ngjall mëshirë?

Njerëzit shpirtërisht të vegjël.

Çfarë ndjesie ju krijojnë aeroportet?

Shoh gjithmonë anën romantike të tyre. Në aeroporte takohen me mall njerëz të dashur për njëri-tjetrin, ose përloten për shkak të ndarjeve. Këtë lloj trazimi më shkaktojnë...

Po celulari?

Nuk më pëlqejnë bisedat e gjata në telefon. Por më pëlqen shumë ndjesia që më krijon kur e harroj apo e mbyll celularin për një kohë të gjatë; është kureshtja për të mësuar kush më ka telefonuar dhe çfarë lajmesh të reja ka për mua...

2008-a ishte një vit i mbarë?

Jo në mënyrë të veçantë, por kishte pa dyshim ngjarje shumë të bukura. Me siguri e them që nuk ishte një vit i mbrapshtë.

Besoni te shenjat?

Jam e prirur të kërkoj ndonjë lidhje, që do të justifikonte besimin tim tek to.

A ndiheni me fat?

Jam njeri me shumë fat.

Kë do donit të përqafonit tani?

Ah! Thonë se në Krishtlindje dëshirat bëhen realitet. Por ajo që kërkoj unë është e pamundur... Do doja të përqafoja fort babanë tim. Më ka marrë malli aq shumë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›