E Diel, 1 Nëntor 2026

Të festosh në restorant apo në shtëpi, shqiptarët zgjedhin të dytën



Pak gjëra kanë mundur të ndryshojnë mënyrën se si shqiptarët e festojnë vitin e ri. Ata i mbeten të ngurtë traditës së hershme, për tu ulur rreth tavolinës me gatime shtëpiake dhe fytyra të njohura dhe pak joshen nga tundimet le të themi moderne të festimit në restorant. Aq më pak janë të interesuar për të festuar në rrugë, ku të ftohtit i është bashkuar në formën traditës të përdorurit pa kriter i fishekzjarrëve.

E ndërkohë që pronarët dhe menaxherët e restoranteve ankohen për mungesë prenotimesh duke ia vënë fajin pamundësisë, mjaft nga të pyeturit thonë se zgjedhin të festojnë në shtëpi pasi dëshirojnë të jenë më të qetë. Kështu shprehet një zonjë rreth të 50-tave e quajtur Maria: “Kjo është zgjedhja jonë”, thotë ajo, “pasi kështu ndihemi më mirë dhe më afër pasi rrallë mblidhemi të gjithë së bashku”. “Përsa i përket çmimeve”, vazhdon ajo, “Mund të ndikojnë, por vetëm në një përqindje të vogël sepse fundja punojmë gjithë vitin dhe kjo është si një shpërblim ndaj vetes”.

Tarifat për një darkë në restorant variojnë nga 3000-5000 lekë dhe frekuentuesit më të shumtë janë të huajt dhe pas kësaj vijnë njerëz me një nivel të mirë ekonomik. “Kjo është një gjë krejt e zakonshme për të huajt por një luks për shqiptarët”, thotë Linda pronarja e një restoranti përballë ambasadës rumune. “Kam pasur të njëjtin aktivitet edhe në Itali” thotë ajo “dhe situata është bardhë e zi me frekuentimin e restoranteve prej shqiptarëve”. Sipas saj edhe pse na ndajnë edhe shumë pak ditë prej festimeve të fundvitit prenotimet janë shumë të pakta. Arsyet sipas saj janë prej pamundësisë ekonomike, mirëpo për të pyeturit në rrugë të festuarit në restorant nuk shihet si mundësi më shumë për shkak të traditës, ndërsa thonë se edhe çmimet janë shumë të larta.

Mjafton të bëhet një llogaritje e thjeshtë dhe del në përfundimin se për të ngrënë një darkë në restorant duhet të shpenzojnë deri gjysmën e të ardhurave të një muaji pune.

Sidoqoftë kjo nuk është pengesa kryesore. “Mund të zgjidhja një restorant të thjeshtë që nuk kushton shumë”, thotë Alma një zonjë e shkurtër dhe e veshur me një kostum gri, “mirëpo preferojmë ta festojmë në familje e kemi si zakon ne shqiptarët që të festojmë nëpër shtëpitë tona sepse themi që do të jemi kështu edhe për gjatë gjithë vitit të lumtur dhe së bashku”.

Edhe pse jo në rendin e parë për nga preferenca restoranti mbetet një mënyrë për të kaluar natën e ndërrimit të viteve dhe mjaft prej pronarëve të tyre e shohin datën 31 si ditë të ngjeshur pune. “Kemi pasur mjaft prenotime megjithëse festa e ndërrimit të viteve do edhe një javë”,thotë Niko Korini pronar i një restoranti që ndodhet pranë stadiumit “Qemal Stafa”, i cili duket i kënaqur nga numri i prenotimeve dhe nga ato që pret të mbërrijnë deri në momentin e fundit. “Në krahasim me një vit më parë në restorantin tim kishte edhe shumë herë më pak vende bosh seç ka sot, por nuk mund të flas shumë i sigurt duke qenë se rezervimet bëhen edhe në momentin e fundit. Kështu nuk mund ta përcaktoj sa më tepër apo më pak do ta kalojnë natën e ndërrimit të viteve në restorantin tim”. Megjithatë shqiptarët duket se e kanë ndarë mendjen që edhe këtë vit të ruajnë traditën, edhe pse nga një vëzhgim i shkurtër në kryeqytet dhe të intervistuarit në lokale apo restorante mëson se edhe këto nuk do të jenë bosh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›