E Diel, 1 Nëntor 2026

Uljan Shpataraku: Nuk e njoh Ergys Agasin, e mora në rrugë se më bëri ‘autostop’! SPAK e rrëzon: E mori në kompleksin ku fshihej

Uljan Shpatarakut, në makinën e të cilit u kap biznesmeni Ergys Agasi, kur është marrë në pyetje,
Shpataraku ka pretenduar se nuk e njihte Agasin dhe se e ka takuar rastësisht në rrugën e vjetër të Elbasanit. Shpatarku pretendon se Agasi i ka bërë shenjë (autostop) dhe kur ka hipur në makinë i prezantuar me emrin ‘Berti’.
“Deklaroi se, gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person i kishte bërë shenjë dhe ai e kishte marrë në makinë. Deklaroi se më pas, gjatë rrugës, ishin ndaluar nga policia dhe ishin dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Shpjegoi se gjatë rrugës kishte zhvilluar bisedë me Agasin dhe se ky i fundit i kishte thënë se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini.
Deklaroi se në atë moment nuk e kishte ditur se bëhej fjalë për Ergys Agasin”, thuhet në dosje.  I pyetur se si ishte e mundur që nuk e kishte njohur Agasin, Shpataraku është përgjigjur:
“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinën time me mjekër, me kapele, me shapka”, ka deklaruar Shpataraku.

Megjithatë, raporti i vëzhgimit i policisë paraqet një panoramë tjetër.
Sipas dosjes, në orën 11:59 Audi A6 që drejtohej nga Shpataraku është parë duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës ku policia kishte lokalizuar Agasin.
Vetëm tre minuta më vonë, në orën 12:02, automjeti është parë duke dalë nga parkimi nëntokësor dhe në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej një person që dyshohej se ishte Agasi. Makina është mbajtur nën vëzhgim drejt Elbasanit dhe, kur është ndaluar në kthim pranë Plepave, në sediljen e pasagjerit është konstatuar pikërisht Ergys Agasi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›