Ulje me 22 përqind të sektorit të ndërtimit
Gjendja e ekonomisë, mungesa e likuiditeteve, si dhe mosshitja e banesave janë problemet kryesore që kanë ndikuar në një rënie me rreth 22 përqind të sektorit të ndërtimit.
Nëndrejtori i Shoqatës së Ndërtuesve Ilir Hebovia deklaron se ndërtimi është në vështirësi prej kohësh megjithëse shpresohet që me kalimin e krizës ekonomike situata të shkojë drejt përmirësimit.
Me ndikim në këtë sektor është edhe borxhi që qeveria ka kundrejt kompanive ndërtuese. Sipas Hebovisë është e rëndësishme që pagesat të kryen në kohë pasi kjo nuk sjell dëme vetëm për kompanitë por edhe për pagesën e kredive apo të punonjësve.
Vetëm pak ditë më parë INSTAT në statistikat e tij bëri me dije se sektori që ka pësuar uljen më të madhe në tremujorin e fundit të vitit 2010 ka qenë sektori i ndërtimit.