E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasaphanë në Irak, kamikazja u merr jetën 36 personave

Një kamikaze femër u ka marrë jetën të paktën 36 personave dhe ka plagosur 50 të tjerë në qytetin irakian të Qerbelasë, ku edhe gjenden disa xhami të shenjta shiite. Kamikazja e hodhi veten në erë në afërsi të xhamisë së imam Hyseinit dhe raportet flisnin për ambulanca dhe automjete policie që nuk reshtnin së transportuari të dëmtuarit drejt spitaleve të afërta. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, edhe disa iranianë besohet se janë mes të vdekurve në këtë sulm. Qyteti ka parë edhe në të shkuarën sulme vdekjeprurëse me bomba dhe vetëm prillin e shkuar rreth 100 persona mbetën të vrarë në dy sulme të tilla. Korrespondentët thonë se zyrtarët dyshojnë që rebelë të Al-Kaedës qëndrojnë pas sulmeve në qytetin që gjendet 80 km në jug të Bagdadit, por asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë. Bomba shpërtheu në një kafe ku mblidheshin punëtorë, raporton "Reuters". "Po bisedoja me një mik dhe po hanim drekën pak metra larg kafesë dhe papritur dëgjova një shpërthim të madh dhe unë u shtriva në tokë", rrëfen Mohamed Kadhem, 39 vjeç. "Pashë tym dhe trupa të përgjakur", tha ai. Një tjetër dëshmitar thotë se pellgje gjaku shikoheshin në lokal, ndërsa shërbimet e emergjencave larguan të vdekurit e të plagosurit, si edhe mbajtën në distancë të afërmit që qanin dhe bërtisnin. Sulmi ndodhi pikërisht gjatë një vizite zyrtare në Irak të zëvendëspresidentit amerikan Dik Çeni. Ky i fundit deklaroi se ndërhyrja amerikane në Irak, në vitin 2003, ishte një përpjekje e suksesshme dhe kjo deklaratë vjen pikërisht në prag të përvjetorit të pestë të luftës. "Nëse hidhni sytë prapa, në këto pesë vite të shkuara, mund të shihni një sfidë të vështirë, por, gjithsesi, një përpjekje të suksesshme", tha Çeni në një konferencë për shtyp në Bagdad, pas takimit me liderët irakianë. Në fakt, lufta në Irak është shndërruar edhe në një temë kyçe të fushatës zgjedhore në SHBA. Ndërsa ajo hyn në vitin e gjashtë të saj, i ka kushtuar ekonomisë amerikane plot 500 miliardë dollarë, ndërsa u ka marrë jetën edhe rreth 4 mijë ushtarëve amerikanë dhe dhjetëra irakianëve të tjerë. Zëvendëspresidenti Çeni, një nga arkitektët e luftës në Irak, mbërriti në këtë vend, ndërkohë që edhe kandidati presidencial i republikanëve, Xhon MekKejn, po takohej me liderët vendas, si pjesë e një komiteti faktmbledhës të Kongresit Amerikan. "Kam qenë në Bagdad, 10 muaj më parë, dhe e ndiej progresin e bërë që atëherë. Ndryshime fenomenale në ndryshimin e situatës", tha Çeni pas takimit me Kryeministrin irakian, Nouri al-Maliki. Çeni tha gjithashtu se këto ndryshime kishin ardhur kryesisht pas shtimit të trupave amerikane në Irak, vitin e shkuar, të cilat ndihmuan në reduktimin e dhunës ndërfetare, që e kishte çuar vendin në prag të luftës civile. Pavarësisht sigurisë të përmirësuar, rreth 4 milionë irakianë ende vazhdojnë të qëndrojnë larg shtëpive të tyre, të zhvendosur dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, tha në një raport të publikuar të hënën, se miliona vazhdonin të ishin të privuar nga uji i pijshëm dhe kujdesi shëndetësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›