Ultranacionalistë gjeoshëtitës
Beogradi, nëpërmjet zëvendëskryeministrit Ivica Daçiç, sapo deklaroi që, për “Kosovën mund të shkojmë deri në luftë”. Po ashtu, në mes të tetorit, sipas Agjencisë Beta, Patriarku Irinej u drejtoi serbëve një thirrje lufte, duke thënë që “Le të bëhet stuhi deri sa të fuqishmit të kuptojnë se serbët po mbrojnë tokën e tyre”. Disa ditë pas tij, nga një tjetër nënkube, Peshkopi i Kishës Ortodokse Amfilohije iu sul misioneve ndërkombëtare, duke i cilësuar ato, më të pamenda se nazistët, sepse “Edhe Hitleri ka pasur arsye të mjaftueshme për ta lënë pjesën veriore të Kosovës nën administrimin e Serbisë edhe pse ajo ishte nën okupimin gjerman”. Është i domosdoshëm një rregullim gjuhësor, thjeshtë “s+apostrof”, të vendosen përpara fjalës “mund”, që të përftohet, për “Kosovën s’mund të shkojmë në luftë”. Beogradi dhe Kisha, të harrojnë sulmin ushtarak të radhës. Ato, kërcënimin si politikë, e kanë në dorë, luftën si ndërmarrje, jo. Nëse lufta e nxehtë, zyrtarëve u sillet nëpër zyra dhe priftërinjve u rrotullohet nën kube, le t’i hapin dritaret që shohin kah jugu i gadishullit, për t’u ndërmendur mbi humbjen katastrofike për shkak të politikës me zjarr, që tani e mbajnë ndezur me deklarata. Asnjë dyshim: Serbia lutet dhe nxit për destabilizim në ish-koloninë e saj.
Por Serbia nuk mund të bëjë luftë, sepse:
Këta nacionalistë radikalë si Ivica Daçiç apo Vuk Jeremiç - figura të larta të pushtetit - pa u shtrirë te ultrasit e opozitës, vërtetë mendojnë si Millosheviçi e hiç më ndryshe, por ndryshe nga Kasapi, këta janë “verë e holluar me ujë”, pasi nuk zotërojnë guximin e tij të çmendur për veprim dhe nuk gjenden në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë.
Këta, ndryshe nga Millosheviçi që nuk jetoi për të parë edhe më shumë, e dinë që, Kosova nuk është si atëherë, në gjendje revoltimi, mosnjohjeje e mosmbështetjeje. Kosova është shtet, si dhe Serbia, me plot aleatë, aq të shumtë sa, numri i njohjeve po arrin 90-të.
Këta nacionalistë radikalë, ndryshe nga Millosheviçi, që s’ia dha as Zoti, çdo mëngjes zgjohen me fytyrë në jugu i Ballkanit, dhe shohin që Kosova e ka prekur qiellin e vet - çlirimin dhe lirinë - të cilat nuk i ka nga Serbia, as si dhuratë, as si pendesë, as si drejtësi. Beogradi, Kosovën s’mund ta pushtojë, s’mund ta rikolonizojë, s’mund ta coptojë. Shqiptarët, ende kanë një vend që sillet armiqësisht ndaj tyre, por Serbisë i vënë përballë dy aleatë të mëdhenj - pavarësinë si konsensus maksimal zgjidhjeje pa kthim pas dhe perëndimin demokratik euroatlantik.
Qysh kur nacionalizmi serb u përzu me luftë nga Kosova për në atdheun e vet, fatkeqësisht, ai nuk reflektoi, por i ka theksuar tiparet e veta, nga ultranacionalizëm i nxehtë në nacionalizëm radikal të ftohtë - me deklarata e veprime të ndërkryera në veriun e Mitrovicës. Ultranacionalizmi serb ka marrë tipare gjeoshëtitëse, për t’i shërbyer botës ngjashmëri të kërkuara andej-kandej, për të penguar njohjen e pavarësisë dhe për ta nxirë shtetin e ri. Pasi, Kosovën, ultrasit e cilësuan Jeruzalemin e tyre; çfarë është për ta Kosova, e cilësuan një Tajvan; zgjidhjen e krahasuan me Berlinin e ndarë gjerman; u panë në pasqyrën katalanase të Spanjës; në veri të Kosovës veprojnë të bëjnë Rusinë në Gjeorgji, të shpallin të pavarur një copë territori e një grusht pakice; zëvendëskryeministri Ivica Daçiç, një nga figurat e afërta të Millosheviçit, vërdallisjen gjeografike të ultranacionalizmit serb, e aviti deri në Ballkan, duke e përqasur shembullin me deklaratën që, “nëse Turqia e quan një sulm ndaj Sarajevës si një sulm ndaj Stambollit, atëherë s’ka asnjë arsye pse një sulm ndaj Mitrovicës të mos jetë një sulm ndaj Beogradit”. Dhe, për të mbajtur territor të Kosovës nën pushtim, kërcënon duke thënë se “një balancë frike është e nevojshme për sigurinë e rajonit”. Por Kosova është në shtëpinë e vet dhe, në psikologjinë ballkanase, njeriu përtej shtëpisë së vet nuk ka ku shkon. Stabilitetin e rajonit janë tre faktorë që e mbajnë: Kosova paqësore dhe e bashkërenduar me faktorin ndërkombëtar. Shqipëria paqësore dhe bashkëpunuese, edhe me Serbinë. Njohjet e shumta të shtetit të ri. Dhe, pa dyshim, fuqia e NATO-s aty, nëse Serbia do të rrëshqiste përsëri në çmenduri.
Serbia e tashme nuk është Serbia e mëparshme, jo se nuk do, por ngaqë nuk mundet. Ajo ende nuk përbën një faktor qetësues në rajon, përderisa ka në qeveri një ministër vetëm për Kosovën dhe përderisa shteti serb ka një ministër të jashtëm që s’ka punë tjetër veç të udhëtojë e deklarojë vetëm kundër Kosovës. Zyrtarët serbë udhëtojnë kryq-e-tërthorë botës për të penguar njohjen e pavarësisë; Serbia ushqen e mban tension në veri; Beogradi kërkon ta vendosë Kosovën në “balancën e frikës” dhe vet të rrijë në “mundësinë e luftës”; megalomania serbe është e njohur, me zyrtarë që kanë ndjesinë si trashëgues të famës së federatës jugosllave; dhe, futjen e Kosovës në “vrimë të miut”, nga frika e një sulmi ushtarak serb, duke e vendosur këtë në kontestin e një përmase botërore (?!), tek thonë se, “ishte pikërisht kjo balancë frike arsyeja e vetme që nuk shpërtheu lufta mes SHBA dhe ish-Bashkimit Sovjetik”. Këta, serbët - dhe rusët - nuk është habi që mendojnë njëlloj, por ata edhe flasin njësoj: Beogradi, destabilizimin që vetë e ushqen, e ngre në raportet botërore të Luftës së Ftohtë (ata e kanë emërtuar “konflikt i ngrirë”), ndërsa Moska, luftën në Kosovë e pati paralajmëruar si fillimin e Luftës së Tretë Botërore.
Ultranacionalizmi gjeoshëtitës serb është dinamik, i vrazhdë, mospërfillës ndaj perëndimit dhe shpërfillës pa skrupuj i Kosovës, përderisa ndërsejnë pakicën në veri dhe guxojnë të hedhin në treg luftën si mundësi. Por lufta tjetër kundër Kosovës është një aluçinacion serb. Edhe nëse vërtetë do të kishte të çmendur që të tërhiqnin këmbëzën përsëri, Serbia do të pësonte një humbje aq të madhe sa që nuk do të mund t’i fitonte më gjithë përjashtimet tejkaluese të pakicës atje, duke u sjellë sikur është shumicë, të drejta të cilat qindramijëra shqiptarë në Maqedoni as nuk i shohin në ëndërr. Ultranacionalizmi gjeoshëtitës ka marrë edhe trajta groteske, duke u përfshirë në këtë rrethanë dy Dmitrit e Kremlinit. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në NATO, Dmitri Rogozin tha diçka të paimagjinueshme se, “është situatë pa precedent, me që 22 000 serbë të Kosovës njëherësh kërkojnë shtetësi ruse. Për këtë arsye, reaksioni i Rusisë do të jetë “eksperimental”. Dhe, Presidenti Dmitri Medvedev, urdhëron ministrinë e punëve të jashtme që të studiohet kërkesa e mbi 20 mijë serbëve të Kosovës, për të marrë shtetësi ruse.
Bashkimi Europian e ka hedhur hapin e rëndësishëm, për dhënien Serbisë të statusit të vendit kandidat, duke caktuar një datë në fillim të dhjetorit, por duke qartësuar dhe kushtin. Ndërsa Beogradi nuk pyet: veriun e mban të bllokuar me kodra zhavorri e betoni, nxjerr zyrtarë të saj që shpallin pavarësi të një grushti njerëzish si në estradë, dhe funksionarë e priftërinj të lartë që kërcënojnë me luftë. Prandaj Beogradit politik i duhet thënë “mjaft more!”, që të kuptojë se e ka lodhur politikën ndërkombëtare me sjelljen e vet. Më pas le të vazhdohet sipas parimit - jep, pastaj - merr!