Pavarësia në Kosovë, aktivitete festive dhe homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova

Me aktivitete të shumta po festohet në Kosovë festa e 28 Nëntorit, Dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Për nder të Ditës së Flamurit shumë shqiptarë nga të gjitha hapësirat shqiptare kanë mësyrë drejt Prishtinës dhe Tiranës për ta festuar këtë datë të rëndësishme. Ndërsa kryeministri i Kosovës zyrtarisht ka udhëtuar për në Norvegji, ku do të ndodhet gjatë festës së “Ditës së Flamurit”, të cilën e ka quajtur ditë me rëndësi për gjithë kombin.Vetëm në Preshevë do të protestohet në këtë ditë feste, në shenjë pakënaqësie për trajtimin e tyre të diskriminuar nga pushteti ku kanë mbetur.
Ndërkohë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka uruar popullin shqiptar me rastin e festës së 28 Nëntorit. “Uroj gjithë kombin shqiptar që këtë ditë të rëndësishme të historisë sonë ta kalojë në festë, i lirë, i dinjitetshëm, i barabartë me të gjitha kombet e tjera të botës”. Kryekuvendari Jakup Krasniqi është shprehur i pakënaqur për mos futjen e festës së 28 Nëntorit në Ligjin për festat zyrtare.
Madje ai ka thënë se me këtë veprim i është hyrë në hak 28 Nëntorit. Festën e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve ia kanë uruar edhe drejtuesit e të gjitha partive politike.
Komuna e Prishtinës, Mustafa: Në këtë ditë kujtojmë përpjekjet për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar
Kryetari i Prishtinës, dr.Isa Mustafa, i shoqëruar nga shefat e grupeve të këshilltarëve të Kuvendit Komunal, në Ditën e Flamurit kombëtar, bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve të kombit dhe tek varri i presidentit të ndjerë, dr.Ibrahim Rugova.
Me këtë rast ai theksoi edhe një herë rolin historik të dëshmorëve të kombit dhe të ish-presidentit Rugova për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve të Kosovës, si dhe për pavarësinë e vendit.
“Kjo është një ditë e veçantë, në të cilën ne kujtojmë të gjithë dëshmorët e kombit dhe Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, figurat më të mëdha të historisë së re të Kosovës dhe të popullit shqiptar”, ka thënë kryetari Mustafa.
Kryetari Mustafa tha se kjo është një ditë në të cilën duhet të kujtojmë përpjekjet për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar dhe figurat historike, që përcaktuan rrjedhat e ecurisë së popullit shqiptar.