E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 28 Nëntori, dita e nderimit të madh për ata që sakrifikuan për Pavarësinë e kombit

28-11-2011 / Gazeta 55

Dita e Flamurit, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryebashkiaku, Lulzim Basha, zhvillojnë homazhe tek varrezat “Dëshmorët e Kombit”

UPDATE- Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha kanë kryer sot homazhe tek varrezat e dëshmorëve të Atdheut, me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë. Me radhë, Topalli, Berisha dhe Basha kanë vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”. Zyrtarë të lartë të vendit kanë nderuar këtë ditë me kurora lulesh. Pas vendosjes së kurorave në varrezat “Dëshmorët e Kombit” banda e ushtrisë ka luajtur himnin shqiptar.
Kryeministri Berisha ka deklaruar se 28 Nëntori, është ditë e nderimit më të madh.
“Kjo ditë është e nderimit për ata që derdhën gjakun. Pavarësia, rezultat i luftërave mbinjerëzore. Ne sot nderojmë me respekt themeluesit. Pavarësia, është akti më madhor kombëtar”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri theksoi se kombi përulet me nderim para Adem Jasharit. Berisha tha se dita e Pavarësisë, është ditë frymëzimi.
“Kjo ditë, fillimi i 100 vjetorit të Pavarësisë. Nderim për ata që luftuan për Pavarësinë”, tha kreu i qeverisë.

Kryetarja e Kuvendit, Topalli: Festa e Flamurit, ditë respekti për arkitektët e lirisë së shqiptarëve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh sot në një takim të zhvilluar me 40 Konsujt e Nderit të Shqipërisë, se dita e 28 Nëntorit është e veshur me krenari e besim.
“28 Nëntori është një ditë e veçantë për shqiptarët. Kjo është një ditë respekti për përpjekjet e shqiptarëve. Ne përulemi ndaj luftëtarëve të Kosovës. Dita e sotme, fillimi i 100 vjetorit të Pavarësisë”, ka deklaruar Topalli. Ajo theksoi se liria funksionon në Shqipëri e Kosovë
Duke ju drejtuar 40 Konsujve të Nderit, Kryeparlamentarja tha: “Ju promovoni Shqipërinë në botë. Shqipëria, vend i vogël me energji të madhe. Shqipëria, vend me potenciale të mëdha”.

Ministri i Jashtëm, Haxhinasto: Konsujt shqiptarë të lobojnë për njohjen e shtetit të Kosovës

Konsujt e nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë janë takuar sot me zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto si dhe me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Në fjalën e tij, kryediplomati shqiptar, Haxhinasto ka vlerësuar ndihmën e konsujve të nderit të Shqipërisë për promovimin e vendit tonë në botë.
“Ju jeni një ndihmë e madhe për arritjen e disa objektivave në politikën e jashtme. Ne dëshirojmë që të mbajmë të ndezur dashurinë e kësaj diaspore për dheun mëmë. Një sfidë e madhe është të ndihmojmë Kosovën që të njihet ndërkombëtarisht pandaj jam i sigurt që ju do të na ndihmoni edhe për këtë objektiv”- u shpreh numri 2 i qeverisë.
Konsujt e Nderit të Shqipërisë janë shtetas të huaj që kanë si mision promovimin e vendit tonë, forcimin e lidhjeve kulturore, rritjen e shkëmbimeve ekonomike, mes Shqipërisë dhe vendit të cilit përkasin.
Ata do të priten në takime të veçanta nga kryeministri, Sali Berisha si dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Më herët, konsujt e Nderit të Shqipërisë, u pritën në një takim të veçantë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

PDIU, Idrizi: Sot nderojmë burrat dhe gratë që bënë Shqipërinë të lirë

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet propozon që në qendër të Tiranës të ngrihet Panteoni i madh i shqiptarëve. Duke folur me rastin e Ditës së Pavarësisë, kreu i saj Shpëtim Idrizi theksoi se sot është një ditë e madhe kuqezi dhe të gjithë trevat shqiptare janë veshur me simbolet e kombit kuqezi. “Sot është një ditë ku duhet të vlerësojmë dhe të nderojmë ata burra dhe gra që e bënë Shqipërinë të lirë siç është sot. Unë i bëj thirrje forcave politike dhe qeverisë shqiptare të ngrejë memorialin e të gjithë shqiptarëve, të mos lejojmë që rilindasit të jenë të shpërndarë. Në zemër të Tiranës të qëndrojë panteoni i shqiptarëve dhe ne të respektojmë të gjithë shqiptarët”- ka theksuar Idrizi.
Më tej, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë që shënohet vitin tjetër të mbajnë përgjatë gjtihë vitin flamurin kuqezi në ballkonet e tyre.

Ceremoni festive në Shkodër
Me intonimin e Himnit të Flamurit ekzekutuar nga Banda e Qytetit të Shkodrës dhe me ngritjen e flamurit kombëtar në oborrin para Bashkisë Shkodër kanë nisur programet festive me rastin e 28 nëntorit ditës së pavarësisë në qytetin e Shkodrës. Më pas Banda e qytetit të Shkodrës ka parakaluar nëpër rrugët e qytetit deri tek sheshi qendror para shtatores së Luigj Gurakuqit të përcjellur nga pushtetarët vendor, deputete e Shkodrës si dhe oficerët e repartit të Vaut të Dejës. Kryebashkiaku i Shkodrës Lorenc Luka ka uruar më rastin e 28 Nëntorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›