Unaza e Madhe, përcaktohen fondet dhe ndërtimi
26/01/2010 Bashkia nis negociatat për marrjen e kredisë nga BERZH, për fazën e parë të punimeve
Bashkia e Tiranës ka paraqitur në projektbuxhetin për vitin 2010 skemën e financimit dhe të ndërtimit të unazës së madhe. Ekspertët e Bashkisë kanë parashikuar në draft edhe vlera konkrete e fondeve që do të shkojnë për realizimin e punimeve të fazës së parë. Njëkohësisht janë sqaruar edhe kompetencat ndërmjet institucioneve vendore dhe qendrore në lidhje me miratimin e huas që do të merret nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, që nevojitet për realizimin e këtyre punimeve. Në lidhje me këtë pikë, konkretisht në projektbuxhetin e 2010-ës, sqarohet se “me vendimin nr. 54 datë 19.12.2008 të këshillit bashkiak është miratuar financimi me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shumën 20 milionë euro i unazës së madhe të Tiranës. Që prej aprovimit e në vazhdim Bashkia e Tiranës po ndjek të gjitha procedurat ligjore për miratimin e kësaj kredie nga autoriteti përkatës siç është Ministria e Financave”. Në muajin prill të vitit 2009, bazuar në analiza mbi gjendjen dhe mundësitë financiare të Bashkisë së Tiranës Ministria e Financave ka miratuar në parim këtë hua dhe tashmë do të vijohet me ndjekjen e procedurave të marrjes së hua-së në përputhje me ligjin dhe udhëzimin në zbatim të tij.
Projekti
Projekti i shumëpërfolur për ndërtimin e unazës së madhe pritet të nisë nga zbatimi pas mbylljes së procedurave të miratimit të projektbuxhetit të kryeqytetit për këtë vit.
Fillimi i punimeve për ndërtimin e segmentit të parë të unazës së madhe të qytetit do të përfshijnë segmentin nga Rruga e Kavajës, deri te Rruga e Elbasanit, ndërkohë që do të financohen me kredi të BERZH-it. Kjo pjesë e unazës së madhe ka një gjatësi prej 5.50 km dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit botanik dhe zoologjik, në kodrat mbrapa parkut të madh të Tiranës, në kodrat e Saukut, dhe lidhet me rrugën e Elbasanit, pranë Akademisë së Rendit Publik. Në projektin e kësaj rruge do të përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në kryqëzimet përkatëse. Sistemi i semaforëve do të inkuadrohet në sistemin ekzistues të funksionimit të tyre dhe do të jetë i koordinuar me pjesën tjetër të semaforëve të instaluar në qytet. Po pjesë e këtij projekti do të jetë edhe fillimi i punimeve të ndërtimit të mbikalimit te shkolla teknologjike, që do të jetë pjesë e punimeve të fazës së parë të unazë së madhe të kryeqytetit. Fillimi i punimeve do të nisë nga ndërtimi i urës te shkolla teknologjike, financuar me kredi të BERZH-it.
Kreditë
Kreditë e përfituara në vite nga Bashkia e Tiranës përbëjnë një detyrim prej 26.9 milionë euro. Me përfitimin e kredisë për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës pritet që shuma e fondeve të marra hua nga Bashkia e Tiranës, të arrijë në 46.9 milionë euro, që vihet në dispozicion të realizimit të projekteve për infrastrukturën publike.
Kostoja e punimeve për projektin e unazës së madhe
Për ndërtimin e unazës së madhe në fazën e parë të projektit, me gjithë ndryshimet e mundshme, janë parashikuar si të nevojshme rreth 20 milionë euro për realizimin e punimeve në rrugë dhe trotuare, punime kanalizimi, punime elektrike si dhe punime të llojeve të tjera në vepra. Ky projekt konsiston në zgjidhjen përfundimtare të qarkullimit në këtë zonë. Procesi studimor i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë një vlerësim financiar përfundimtar për koston e ndërtimit të unazës, e cila llogaritet të jetë në shifrën e përmendur më lart. Kështu zbatimi i projektit që pritet të sjellë sistemimin e qarkullimit në gjithë kryeqytetin është ndër më të rëndësishmit e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës. Aktualisht kjo bashki po negocion me BERZH-in për marrjen e kredisë, për fillimin e fazës së parë të punimeve.
Punimet për transportin publik në unazën e vogël
Përveç projektit të unazës së madhe, në buxhetin e 2010-ës është parashikuar edhe përfundimi i unazës së vogël të kryeqytetit. Sipas ekspertëve të baskisë, përfundimi i ndërtimit për vënien në funksionim të unazës së vogël të qytetit ka një rëndësi të veçantë, pasi ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e transportit publik në këtë zonë, me korsitë e dedikuara për autobusë dhe sidomos me menaxhimin e flukseve të lëvizjes dhe trafikut. Për këto të fundit parashikohet kthimi i zonave të caktuara të qendrës së qytetit në zona këmbësore, si zona historike e kalasë së Tiranës apo sheshi “Skënderbe” etj. Në këtë drejtim është në objektiv përfundimi i punimeve të ndërtimit në segmentin rrugor tek INSIG-u, që ka kosto të madhe financiare në drejtim të shpronësimit dhe lidhet me mbështetjen dhe procedurat që duhet të kryhen në nivel qendror.
Unaza e madhe
Hap debate mes Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë
Kryeministri Sali Berisha, përpara disa muajve deklaroi gjatë një mbledhjeje të KRRTRSH-së se do ishte Qeveria ajo që do të ndërtonte unazën e madhe të kryeqytetit. Kjo deklaratë u pasua dhe nga një deklaratë tjetër në një debat televiziv, ku sipas Berishës, unaza e madhe e kryeqytetit do të kushtonte rreth 400 milionë euro. Sipas tij, një shumë e tillë s’mund të përballohej nga Bashkia e Tiranës. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila deklaroi se ndërtimi i unazës së madhe të kryeqytetit është detyrë e saj, dhe deklaratat e Kryeministrit, sipas Bashkisë, janë ndërhyrje në autonominë e pushtetit lokal. Zyrtarë të lartë të bashkisë u shprehën se ky institucion ka gati projektin dhe studimin e fizibilitetit dhe është i aftë të sigurojë fondet që duhen, megjithëse shuma prej 400 milionë është e madhe për t’u përballuar vetëm nga taksapaguesit e kryeqytetit.