Librat jashtëshkollorë, sipas shijes së mësuesve
Bordi përzgjedhës pranë Ministrisë së Arsimit nuk funksionon më
Librat jashtëshkollorë nëpër të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar tashmë nuk përzgjidhen më nga një komision i posaçëm si më parë. Janë vetë mësuesit që orientojnë nxënësit për blerjet e librave jashtë teksteve të detyrueshme shkollore. Por, ndërsa shumë mësues të lëndës së letërsisë përzgjedhin dhe rekomandojnë tituj që lidhen edhe me programin mësimor, në shumë raste të tjera mungesa e një liste të paracaktuar titujsh shndërrohet në një shitje-blerje, që nuk i vlen studimit dhe thellimit të dijeve, por interesave të botuesve dhe “kontratave” që ata vendosin me mësuesit e lëndëve. Në një përfundim të tillë kanë arritur edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit. Shkak për një “evazion” të tillë në sistemin parauniversitar është bërë ngrirja e bordit të përzgjedhjes së teksteve jashtëshkollore pranë MASH. Kjo strukturë ka funksionuar deri në hartimin e listës së librave jashtëshkollorë të vitit mësimor 2007-2008, ndërsa për 2009 kjo strukturë ka “ngrirë’. Heshtja e këtij komisioni ka ardhur si pasojë e një urdhri të ministrit të Arsimit të asaj kohe, Fatos Beja. Ky veprim, sipas përfaqësuesve të MASH, mësohet se erdhi si pasojë e presionit të madh që bëhej nga një numër botuesish, të cilët kërkonin që në listë të vendoseshin titujt e prodhuar prej tyre. Aktualisht, puna e këtij bordi që punonte në mënyrë të pavarur nga Ministria e Arsimit është ndërprerë. Ndonëse në përbërjen e tij janë emra profesorësh të njohur dhe me eksperiencë në fushën e tyre, sërish duket se mendimi i tyre nuk merret parasysh. Ndërkohë që vihet në pikëpyetje edhe cilësia e orientimit të të rinjve për literaturën shtesë që duhet të njohin gjatë vitit shkollor. Kjo gjë, tashmë, duket se ka mbetur një zgjedhje subjektive e mësuesve, në varësi edhe të rrethanave të tjera.
I pyetur nga gazeta, profesor Ilia Lëngu, ish-kryetar i bordit të përzgjedhjes së teksteve jashtëshkollore pohon se lista e fundit e hartuar nga kjo strukturë i përket vitit shkollor 2007-2008. Më pas me ndërrimin e ministrave, pra largimin e Genc Pollos dhe zëvendësimin e tij prej Fatos Bejës, ky bord nuk ka funksionuar më. “Unë dhashë dorëheqjen për shkak të disa problemeve të funksionimit të bordit. Dorëheqja ime u miratua nga ministri Fatos Beja dhe mbeti ideja për riorganizimin e këtij bordi”, shprehet profesor Ilia Lëngu. Sipas tij, një strukturë e tillë është shumë mirë që të funksionojë, pasi kjo listë me titujt e librave jashtëshkollorë është diçka zyrtare dhe e disiplinuar. Ai shton se drejtoritë arsimore duhet të punojnë dhe të aplikojnë listën e fundit të miratuar nga bordi.
Nga ana tjetër, duket se në Ministrinë e Arsimit ende nuk po bëhet ndonjë përpjekje për të riorganizuar edhe një herë bordin, përmes miratimit të një trupe të re apo angazhimit të asaj ekzistuese në funksion të seleksionimit të titujve më të mirë letrarë, që duhet të mbërrijnë në duart e nxënësve të shkollave. Kështu pohojnë përfaqësues të këtij dikasteri.
Iniciativa për të ngritur një bord të posaçëm, që do të realizonte përzgjedhjen e librave më të mirë jashtëshkollorë të cilët do të ndihmonin nxënësit që të ishin më aktivë në diskutimet apo referatet gjatë orës së mësimit, erdhi gjatë kohës kur në krye të Ministrisë së Arsimit ishte ministër Genc Pollo. Por pas largimit të tij kjo iniciativë nuk u vazhdua më tej.
Lista e fundit e hartuar nga bordi i përzgjedhjes së teksteve jashtëshkollore adresuar për të gjithë nxënësit e sistemit universitar përmbante rreth 800 tituj. Gjysma e tyre ishte për shkollat 9-vjeçare dhe 400 tituj të tjerë për shkollat e mesme të vendit. Për çdo grupmoshë ishte llogaritur që të viheshin në dispozicion 10 tituj librash të ndryshëm, nga të cilët sërish mund të bëhej një përzgjedhje nga vetë nxënësi ose orientimi i mësuesve sipas programit mësimor.
#