Tumoret femërore, më të shpeshta në Veri të vendit
çdo vit në vend humbasin jetën mbi 140 gra. Mbetet problem ekzaminimi në faza të avancuara
Mbi 140 gra në Shqipëri humbasin jetën nga kanceri i qafës së mitrës, ndërkohë që identifikohen çdo vit 25 raste të reja në 100 mijë gra. Këto shifra të larta, krahasuar me vendet e Europës Juglindore u bënë publike dje gjatë konferencës kombëtare për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës. Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues dhe autoritete të strukturave të ndryshme shëndetësore. Gjatë konferencës, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se përqindja më e madhe e vdekshmërisë nga kjo sëmundje vjen për faktin se gratë shqiptare nuk janë të informuara për ta parandaluar atë në kohë. Vasili përmendi një sërë objektivash të ministrisë që ai drejton për informimin, parandalimin dhe kurimin e kësaj sëmundjeje. Ndërkohë që sipas të dhënave që drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, referoi gjatë prezantimit të tij, raste të konsiderueshme të prekura nga tumoret janë identifikuar në qytetet veriore të vendit.
Tumoret e sferës femërore, raporti
Tumori i qafës së mitrës zë vendin e dytë për incidencë pas kancerit të gjirit te femrat dhe vendin e tretë për mortalitet. Vërehet një prirje për rritje gjatë dekadës së fundit. Ndër rrethet më të prekura përmendet Tropoja, Shkodra, Lezha. Rreziku i marrjes së infeksionit HPV fillon që nga takimi i parë seksual. Si femrat e reja ashtu dhe ato të rritura janë në rrezik nga kanceri i qafës së mitrës si pasojë e infektimit apo riinfektimit nga tipa HPV që mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës. Femrat mund të paraqiten me kancer në çdo moshë, sidoqoftë kjo është shumë e rrallë në femrat poshtë 20 vjeç. Sipas statistikave, rreth 30 për qind e rasteve të këtyre lloj tumoreve ndodhin te femra para moshës 45 vjeç. Por pesha më e madhe specifike është te femrat me moshë mbi 45 vjeç.
Masat
“Jemi të ndërgjegjshëm se edhe sistemi ynë shëndetësor ka mungesat e veta. Megjithatë, jemi sot në këtë konferencë edhe për të shprehur gatishmërinë tonë në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij sistemi. Duke ftuar gratë shqiptare në përdorimin e shërbimeve të depistimit, në një farë mënyre ne rrisim presionin mbi sistem dhe përgjegjësinë tonë për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi kësaj kërkese”, theksoi ministri Vasili.
Sipas tij, në Shqipëri, me gjithë një traditë jo të papërfillshme në fushën e kontrollit të kancerit të cerviksit, ndodhemi ende në hapat e para të instalimit të një sistemi të zgjeruar të depistimit. Ende kemi një nivel shumë të ulët të përdorimit të pap-testit. Vetëm një përqindje e vogël e grave shprehin interes për të njohur nivelin e tyre të riskut në këtë drejtim.
Ministria e Shëndetësisë ka për të parën herë një dokument strategjik mbi Shëndetin Riprodhues, në të cilin një kapitull u dedikohet politikave të kontrollit dhe parandalimit të tumoreve të organeve riprodhuese, përfshirë kancerin e cerviksit deri në vitin 2015. Ndërkohë që në projekt-strategjinë e re të vaksinimit, që pritet të miratohet së shpejti, është parashikuar të merret në konsideratë përfshirja e vaksinës së re kundër HPV, në programin kombëtar të vaksinimit.
#