E Diel, 1 Nëntor 2026

Unaza e Madhe, qeveria, 4 mln euro nga buxheti i 2011 për shpronësimin e pronarëve

SHKRUAN: Sabina Veizaj 09-06-2011 11:46

Nis shpronësimi i pronarëve përgjatë Unazës së Madhe të Tiranës. Janë 4 milionë euro nga buxheti i vitit 2011, për Ministrinë e Brendshme, në zërin shpenzime kapitale që do të shkojnë për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës. Procesi i shpronësimit, i cili do të zgjasë 5 muaj, do të nisë më 15 qershor të këtij viti dhe do të përfundojë më 15 nëntor po të këtij viti. Vendimi është bërë dje publik në mbledhjen e radhës së qeverisë... Pronarët e këtyre pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas vendimit të qeverisë do të kompensohen në vlerë të plotë, për sipërfaqen truall 26 864m2, me vlerë 229 078 496 lekë, objekte me vlerë 293. 5 milionë lekë, në total me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 522.5 milionë lekësh ose e përkthyer në valutë, me 4 mln euro. Ndërsa shpronësimi do të bëhet me paratë e buxhetit të shtetit të 2011-ës për Ministrinë e Brendshme, shpenzimet procedurale do t’i takojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve pasi shpronësimi, sipas vendimit në fjalë, bëhet në favor të kësaj drejtorie. Vendimi citon se, të gjithë pronarët e pasurive, të ndodhura në zonën kadastrale 8270, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë dorëzuar dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Ndërsa, për pasuritë e ndodhura në zonën kadastrale 8280, është bërë shënimi “Rikonfirmim”, pasi kjo zonë është në procesin e futjes në sistem. Po sipas vendimit në fjalë, pronarët e pasurive të ndodhura në këtë zonë, do të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të përfundojë procesi i futjes së zonës në sistem dhe në bazë të dokumentacionit të rifreskuar, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve që do të likuidojë pronarët e pasurive truall, të cilat ndodhen në zonën kadastrale 8270. Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, për pronarët e pasurive truall, që ndodhen në zonën kadastrale 8280, vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i futjes në sistem të kësaj zone. Kjo do të konfirmohet zyrtarisht nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, së bashku me titujt e pronësisë, si dhe në bazë të dokumentacionit të rifreskuar, që do të dorëzojnë pronarët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›