Vendimi, ja si do të likuidohen pronarët e objekteve të legalizuar të Unazës së Madhe
Të gjithë pronarët që kanë objekte të ndërtuara, të cilat preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe do të shpronësohen dhe kompensohen vetëm pas legalizimit të tyre, sipas vendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Në këtë mënyrë, duke iu referuar vendimit në fjalë, pronarët e objekteve për të cilët është bërë shënimi “Proces legalizimi”, do të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit dhe i regjistrimit në ZVRPP-në Tiranë, si dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Kurse, pronarët e objekteve për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja” do të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Kurse vendimi urdhëron, që brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, duhet të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe në të njëjtën kohë duhet të bëhet kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit. Sipas vendimit, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, do të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në çastin kur do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.