E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e madhe tenderohet projekti i Bashkise se Tiranes

Unaza e madhe, një vepër e rëndësishme strategjike e parashikuar në Planin e ri Urbanistik, është në proces ndërtimi. Projekti i dorëzuar nga Bashkia e Tiranës Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, e cila e financon këtë me fondet e qeverisë shqiptare, do të tenderohet në fillim të javës që vjen. Ai parashikon ndërtimin e segmentit nga shkolla teknologjike te qendra “Kristal”.  
Projekti parashikon që segmenti i Unazës së Madhe të ketë gjatësi rreth 2.8 km dhe të njëjtën gjeometri me segmentet e përfunduara të kësaj Unaze. Në projekt parashikohet ndërtimi i Unazës së Madhe dhe rrugëve paralele me të gjitha shtresat rrugore, ujësjellësit, ndriçimin rrugor, gjelbërimin dhe sinjalistikën vertikale dhe horizontale. Unaza e madhe është konceptuar të funksionojë si rrugë shpejtësie (80km/orë,), me hyrje dalje të disiplinuara, me 2 karexhata,  korsi emergjence si dhe 3 breza gjelbërimi me gjerësi 2m. 
Rrugët paralele, janë parashikuar në varësi të densitetit të banimit dhe zonave që konturojnë objektin. Funksioni këtyre rrugëve është ai i shërbimit për banorët dhe bizneset përgjate Unazës së Madhe, si dhe mbledhja e trafikut të zonave dhe disiplinimi i tyre. 
Për funksionimin sa më të mirë të objektit dhe qarkullimin sa më lirshëm të mjeteve dhe këmbësorëve janë parashikuar dhe ndërtimi i disa nënkalimeve dhe mbikalimeve për mjetet dhe këmbësorët. Në nyjet kryesore të trafikut, në lidhjet e Unazës me rrugët e tjera, është parashikuar zgjidhja e kryqëzimeve në disnivel. Për të gjithë kryqëzimet dhe degëzimet rrugore, është bërë trajtimi me shtresa rrugore deri në një distancë 50m.
Trotuaret, janë parashikuar në pjesën e jashtme të rrugëve paralele, në të gjithë gjatësinë e tyre me gjerësi 3-5 m.  Të gjithë këto projekte nisin nga zbatimi brenda këtij viti. Aktualisht po punohet në rrethrrotullimin e Doganës. Ne fillim te muajit gusht, nisin punimet për rrugën e “Bërrylit” dhe ndërtimin e 6 rrugëve të reja në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›