Unë besoj shumë kualifikimin..!
Flet Etrit Berisha, tashmë portieri i duhur i skuadrës sonë kombëtare, siguria e portës së De Biazit
Fitorja kundër Armenisë, ka më pak vlerë se këta emra të talentuar që shpëerthyen kundër saj”
Shqipëria vazhdon të lundrojë në det kënaqësie, të jetë në këtë stinë fitoresh dhe shifrash pozitive dhe falë një grupi, kaq simpatik lojtarësh po bën xhiron e botës, me ngjitjet në renditjen e UEFA-s dhe FIFA-s. Edhe përballë Armenisë, kuqezinjtë treguan se dijnë të luajnë dhe të fitojne njëherësh, tashmë duke mos ju trembur asnjë kundershtari.
Njëra nga pikat e forta në ekip, është Etrit Berisha, portieri nga Kosova, që jeton në Suedi dhe tashmë prej gjashtë ndeshjesh është titullar me kombëtaren e Shqipërisë. Ka lindur ne Prishtinë dhe jeton në Suedi. Është 194 cm i gjatë dhe është 24 vjeç.
Luan me Kalmarin në kampionatin suedez, por pritet kontrata e re me Lacion. Kartoni i tij, kushton 1 milionë euro. Ka shënuar 3 gola me 11 metërsh, ndërsa me skuadrën e tij ka luajtur 68 ndeshje. Shtatlartësia, nuhajta, daljet e studiuara dhe mënyra se si reagon pas një rasti, janë tipare mjaft të mira për një futbollist, që i është besuar kuadrati magjik.
Pas ndeshjes me Armeninë, ka qënë njëri nga protagonistët, duke shpëtuar të paktën dy-tre raste të mundshme dhe të pastra për gol. Në gjashtë ndeshjet e aktivizuara me kombëtaren, ka pësuar vetëm një gol, duke qënë pikë kyçe ne formacionin kuqezi.
Si e vlerson një arritje të tillë Etrit Berisha, duke qënë tashmë pika më e fortë e skuadrës?
Unë jam bërë i tillë falë një skuadre kaq të mirë, që vazhdon të pasurojë emrat dhe repartet e saj. Duke parë arritjet e mia, them që pjesë e rendësishme janë pikërisht ndeshjet ku unë jam aktivizuar me skuadrën kuqezi.
Lojtarë të mëdhenj si Cana, apo futbollistët me emër te ekipit, të bëjnë shumë optmist dhe të japin zemër. Kur kujtoj ndeshjen e parë, sinqerisht nuk e besoja se vazhdimi im do të ishte kaq i mirë. Kam pësuar vetëm një gol dhe them se, edhe atë mund të mos e pësojatani që nuk jam në portë
Kombëtarja luajti një ndeshje të mirë dhe mori një rezultat po të tillë me armenët. Sa është merita e Berishës, skuadrës dhe trajnerit në atë 90 minutësh?
Ishte vetëm një ndeshje miqësore, por që për ne, të gjitha janë njësoj. Ne morëm atë që prisnim, sepse publiku kërkon rezultatin, lojën dhe kënaqësinë, ndërsa trajneri kërkon edhe emra të tjerë që të jenë të gatshëm për skuadrën, pasi ndeshje të rëndësishme na presin.
Me ndeshjen që u luajt kundër Armenisë, mendoj që fituam të gjithë. Trajneri De Biazi ka meritën e padiskutueshme të tij. Ai ka treguar se e njeh shumë futbollin, por edhe mentalitetin e skuadrës dhe të grupit tonë. Tashmë, ai është bërë një figurë e dashur dhe e respektuar këtu, dhe më vjen shumë mirë për këtë.
Në skuadrën tonë kombëtare, ka shëmë lojtarë kosovarë. Nëse një ditë pranohet në UEFA dhe FIFA Kosova, a mendoni që Shqipëria do të vuajë për futbollistë cilësorë?
Kurrë nuk e besoj, sepse Shqipëria është e të gjithëve. Unë e uroj që ta shoh Kosovën, sepse është vendi ynë, aty jam lindur dhe aty kalova fëmijërinë, por mendoj që kjo skuadër është e të gjithëve, dhe jo vetëm e Shqipërisë.
Ne këtu luajmë edhe për Kosovën, trojet shqiptare kudo në Europë, dhe mbi të gjitha për atdheun amë, Shqipërinë. Simbolet kombëtare dhe flamuri, janë të shenjta. E rëndësishme është që shqiptarët kudo janë të talentuar dhe prodhojnë kaq shumë futbollistë të spikatur.
A beson te kualifkimi Berisha dhe sa mund të jenë shanset e Shqipërisë për një kompeticion botëror, apo europian?
Unë jam ndoshta njeriu që besoj më shumë se askush. Asgjë nuk na pengon të shkojmë deri atje, në Brazil. Në dorën tonë janë rezultatet e ndeshjeve të ardhëshme. Ne kemi treguar se dijmë të luajmë dhe fitojmë, edhe jashtë fushës sonë, madje ndonjëherë kemi luajtur më mirë, si në Norvegji.
Ndaj duhen vlerësuar dy ndeshjet e radhës, që vërtet i kemi jashtë, por duhet të marrim patjetër pikë që të krijojmë mundësinë pastaj për të hyrë në zonën e kualifkimit. Nëse e bëjmë këtë, ndeshja me Zvicrën, mund të quhet përcaktuese, por që e kemi në Tiranë.
