Plaku ka gjetur dashurinë në Poloni
Sulmuesi i kërkuar me forcë nga trajneri Levi po fillon të gjejë formën më të mirë. Tashmë ai aktivizohet në krah, është kthyer në idhullin e tifozerisë dhe mbi të gjitha të bashkëshortes së tij, Ulivi
Ulivi Plaku duket se ka ndjekur më së miri rekomandimin e marrë nga trajneri polak, Stanislav Levi. Të tillë lojtarë, nuk ka në Poloni. Sigurisht që trajneri fliste për cilësitë e lojtarit, ndërkohë që bashkëshortja flet për Plakun në një tjetër aspekt.
Në fakt fillimi i aventurës së Plakut në radhët e skuadrës së Slask Vorclav nuk ishte ndër më të mirët, por tashmë sulmuesi duket se po ri gjen edhe njëherë formën e tij më të mirë. Prova për këtë, është sigurisht goli i shënuar në ndeshjen përballë Bryzh.
Sigurisht që me blerjen e tij, cilësia në radhët e Slask është rritur ndjeshëm. Goditja e tij në stilin e Leo Mesit, është prova më e mirë që tregon se trajneri Levi ka pasur të drejtë teksa këmbënguli për të blerë lojtarin në fjalë.
Paraqitja e 28-vjeçarit në ndeshjet e para me skuadrën e re nuk ishte shumë bindëse, por Plaku e ka mbrojtur veten e tij, teksa ishin të shumtë tifozët që nuk shprehën besim dhe mbështetje për të. Unë nuk jam mësuar që të luaj në qendër të repartit të sulmit.
Ai nuk është pozicioni im. Nuk jam lojtari tipik i zonës, që mund të kthej në gol çdo top që prek. Mendoj se në ndeshjen përballë Bryzh, ku luajta në krah, paraqitja ime ishte me të vërtetë bindëse. Në minutën e 64 të asaj ndeshje, me një goditje të provuar në disa raste në stërvitje, e cila të kujtonte shumë goditjet e Mesit, Plaku arriti të gjente rrugën e rrjetës.
Me këtë paraqitje Plaku duket se ka shprehur dashurinë e tij për skuadrën e re, Slask dhe mbi të gjitha tashmë ai është kthyer në yllin e këtij ekipi. Ai pranon se ka rënë në dashuri me vendin tonë, shprehet bashkëshortja e tij dhe të njëjtën gjë mund të them edhe unë për të.
