E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Unë e rekomandova Sali Berishën të anëtarësohej në Partinë e Punës”

“Skaneri” i politikës shqiptare në sytë e Brokajt. Si është njohur me Nanon, Berishën, Metën, Majkon, dhe Ramën

Shaban Sulçe

Fakti që Zabit Brokaj ka dhënë vullnetarisht dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe jeta parlamentare nuk e pengon atë për të qenë pjesë aktive e politikës shqiptare. Brokaj vazhdon të jetë nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke kontribuar në rritjen e kësaj force me eksperiencën dhe mendimet e tij të vyera politike. Në këtë pjesë të dytë të intervistës ai bën edhe skanerin e disa prej figurave kryesore të gjatë këtyre 17 viteve politikë. Për Brokajn Nano është një zhgënjim i së majtës, Berisha një njeri që mund të bëjë çdo gjë për pushtetin, ndërsa Meta i suksesshëm në qeverisje, por nuk duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Vlerësime pozitive ai jep edhe për ish-presidentin Meidani, ndërkohë që shpreh zhgënjim ndaj kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama, për bashkëpunimin me Berishën për të ndryshuar Kushtetutën.
Zoti Brokaj, do të deshëm të dinim një mendim tuajin dhe rrethanat e njohjes me politikanët aktualë në vend. Fillimisht ta nisim me ish-liderin historik të PS-së, Fatos Nano.
Me Fatos Nanon jam njohur në zyrën e Adil Çarçanit, ku m’u propozua që të bëhesha ministër i Shëndetësisë. Nano në atë kohë ishte sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe me thënë të drejtën ai më la përshtypje pozitive nga mënyra se si shprehej dhe se si u soll. Përshtypja ime për Nanon? Fatos Nano është zhgënjimi më i madh për të majtën shqiptare dhe faktori kryesor i gjendjes kaotike të Partisë Socialiste. Por gjithashtu ai është edhe zhgënjimi më i madh i qeverisjes socialiste, gjë që ndikoi edhe në rikthimin në pushtet të Sali Berishës.
Po me kryeministrin dhe kryetarin aktual të PD-së, Sali Berisha?
Me Berishën kam qenë shumë mik. Jam njohur me të në shkollë të mesme, më pas edhe gjatë studimeve të larta në Fakultetin e Mjekësisë. Kam pasur një miqësi konfidenciale edhe si student, edhe si pedagog, kemi punuar së bashku në një katedër, madje kemi qenë edhe në një organizatë partie përpara sistemit pluralist. Kam pasur miqësi dhe asnjëherë konflikt me të. Madje për Berishën kam dhënë rekomandimet për t’u bërë anëtar i Partisë së Punës.
Cilat janë përshtypjet tuaja për Berishën?
Berisha ka qenë përherë ambicioz, por kjo nuk cilësohej si një dukuri negative. Kjo ambicie u shfaq e dëmshme për Berishën vetëm pas vitit 1991. Me Berishën i kam prishur marrëdhëniet pikërisht në këtë kohë, kur ai u dha një formë të dhunshme proceseve të zhvillimit, kur ai inkurajonte dhunën fizike dhe verbale që në fillimet e Lëvizjes Studentore. Aty kuptova që kishim përfytyrime shumë të kundërta për ndryshimin e Shqipërisë. Unë me vizion, ndërsa ai me shkatërrim. Më pas lindën konfliktet politike, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë personale. Kulmi arriti në vitin 1997 kur më futën në burg dhe donin të më dënonin politikisht.
Problemet e mëpasshme i pata me devijimet e qeverisë së PS-së. Sepse po të ishte qeverisur më mirë, Partia Socialiste do të kishte 5 mandate qeverisëse, dhe jo deri më 3 korrik 2005, kur Berisha u rikthye në pushtet. Unë shpresën e shikoja tek e majta, nuk pajtohesha me devijimet e qeverisjes së saj dhe për këtë arsye janë konfliktuar. Partia në pushtet e mund opozitën me një qeverisje të mirë dhe opozita mundej lehtë me një qeverisje të mirë. Berishën do ta përcaktoja si faktorin kryesor që pengoi zhvillimin e Shqipërisë për shkak të formave të dhunshme. Për luftën për pushtet ai përdor çdo lloj mjeti dhe forme. Për mbrojtjen e pushtetit është jashtë çdo koncepti perëndimor dhe demokratik.
Po me ish-kryeministrin dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Si jeni njohur dhe si e gjykoni karrierën e tij politike?
Jam njohur me Ilir Metën në kohën kur ai dhe një grup të rinjsh të FRESH-it erdhën në Partinë Socialiste. Ne e pamë me simpati dhe shpresë këtë grup të rinjsh, pasi dihet që në atë kohë PS-ja po përjetonte një periudhë shumë të vështirë. Ardhja e tyre në PS ishte freski dhe oksigjen për ne, në atë klimë mbytëse. Kam parë në mënyrë korrekte dhe serioze ecurinë e tij në politikë, pa nxitur karakterin intim të këtyre marrëdhënieve, por duke pasur marrëdhënie korrekte dhe të dobishme.
Më ka ardhur mirë që ka qenë i suksesshëm kur ka qeverisur vendin. Gjatë kohës që ka qenë kryeministër më ka ftuar disa herë në qeverinë e tij, por nuk kam marrë pjesë. Zhvillimeve të brendshme në Partinë Socialiste u ka bërë ballë në një moment mjaft të rëndësishëm për të majtën shqiptare. Gjykoj se është pozicionuar mjaft mirë si politikan dhe veçanërisht në këtë periudhë, për një çështje mjaft thelbësore, siç është mbrojtja e Kushtetutës, pas manipulimeve regresive që iu bënë asaj nga dy forcat e mëdha politike në mënyrë puçiste. E konsideroj pozitiv faktin që ai e ka kapur në themel këtë kauzë dhe gjykoj se do të jetë konsekuent, për ta çuar deri në fund referendumin për Mbrojtjen e Kushtetutës. Kur Meta u bë kryeministër mendova se do të ishte një “viktimë” e lojës së Nanos, ashtu siç ndodhi me Pandeli Majkon. Por Iliri tregoi vlera dhe vizion dhe vullnet për ta qeverisur mirë vendin, dhe kjo bëri që Nano të binte në grackë dhe Meta të kthehej në një sfidë për të. Prandaj ai zhvilloi edhe “Lëvizjen për Katarsis”. Për ta larguar Metën nga qeverisja e suksesshme e vendit. Dorëheqjen e Metës nga posti i kryeministrit e gjykoj si mungesë përvoje politike. Ai, duke qenë edhe një person shoqëror, dëgjoi edhe disa këshilltarë të këqij, që e nxisnin të jepte dorëheqjen, të cilët punonin në prapaveprim për rikthimin e Nanos si kryeministër. Rikthimi i Nanos solli pasoja të dëmshme dhe shumë negative për qeverisjen e vendit, por ishte pozitive për përvojën dhe karrierën politike të Ilir Metës, sepse ishte një mësim i madh për të dhe kjo gjë ishte e nevojshme për moshën dhe përkushtimin që ai ka për politikën.
Le të flasim për një tjetër ish-kryeministër të së majtës dhe pikërisht për Pandeli Majkon. Mendimi juaj për të...
E kam gjykuar përherë se ka qenë dhe do të jetë gjithmonë gur shahu në dorën e dikujt.
Cilat janë përshtypjet tuaja për ish-Presidentin e Republikës, Rexhep Meidani?
Me Meidanin kemi qenë kolegë dhe bashkëpunëtorë. Vlerësoj karakterin e tij intelektual, të dobishëm për zhvillimet e vendit. Meidani nuk fitoi nga vetja, ai është cilësi në PS, por ishte gjendja e PS-së që nuk diti të vlerësonte dobinë e Meidanit në kushtet kur zhvilloheshin ngjarjet e vrullshme në Partinë Socialiste.
Dhe së fundi do të deshëm të dinim mendimin tuaj për kryetarin aktual të Partisë Socialiste, Edi Rama?
Kam shpresuar shumë te Edi Rama, sepse ka qenë një nga emrat e parë që në gjysmën e vitit 1990 që spikati në proceset e ndryshimit të sistemeve politike. Madje një profesor mbaj mend që më pati thënë se Rama premtonte shumë për të qenë aktiv në politikë. Sukseset e tij kanë qenë personale, por kontributi i tij në qeverisjen e Tiranës më kanë shtyrë që t’i dal krah dhe ta mbroj kur ai sulmohej në situata të vështira nga Nano dhe Berisha. Pazari i fundit që ai bëri me Berishën, në të cilin ai mori rol pasiv, pasi e vërtiti Berisha siç deshi duke e çuar deri në afirmimin e Kushtetutës që iu mohua Berishës nga populli në vitin 1994, dhe vendosjen e Grupit Parlamentar dhe deputetëve të PS-së për të mbrojtur kauzën e Berishës. E gjitha kjo më bën që të them se për këtë nder që Rama i bëri Berishës, verbërisht, por me pasoja për zhvillimin, është më e dëmshme se dëmet që i janë shkaktuar të majtës nga Fatos Nano. Dhe këtë e bëri Edi Rama.

Brokaj, lamtumirë me emocione nga Kuvendi

Në fund të muajit janar të këtij viti, deputeti Zabit Brokaj dha dorëheqjen e tij vullnetare nga mandati parlamentar, pas 17 vitesh aktive pjesëmarrje në të. Ai u bë deputeti i parë i historisë së Kuvendit që dorëzonte imunitetin në mënyrë vullnetare. Këtë gjë Brokaj e bëri gjatë një fjalimi në seancën plenare, fjalim në të cilin nuk munguan emocionet dhe që u shoqërua me duartrokitjet e gjata të deputetëve të pranishëm në sallën e Parlamentit. Në një intervistë për gazetën “Albania”, datë 31 janar, Brokaj tregoi arsyet e vendimit për të dorëzuar mandatin e deputetit. “Njeriu përherë duhet të bëjë një bilanc të qëllimeve, motivimeve, efektshmërisë dhe prodhimtarisë së veprimtarisë së vet. Ky bilanc bëhet periodikisht dhe ndikon në vendimmarrje. Unë hyra në politikë që në vitin 1991. Qëndrova dhe u angazhova në politikë me synime të rëndësishme jo në aspektin personal, por në planin shoqëror, sepse politika duhet t’i shërbejë shoqërisë. Duke bërë një bilanc të tillë, kam zhgënjimet e mia, të cilat nuk i përcaktoj vetëm unë. Gjykoj që në këtë moment bilanci në veprimtarinë dhe produktivitetin tim mund të ishte më racional. U largova nga Parlamenti në mënyrë që të kem mundësi që t’i dedikohem profesionit tim si kardiolog, performancën e të cilit e kam ruajtur. Pjesëmarrja në politikë nuk ka përse të jetë e përhershme. Vjen një moment kur duhet t’i lësh hapësirën një tjetri, që ka energjitë dhe qëllimet e mjaftueshme për t’u angazhuar”, - deklaroi ai, duke shtuar se pavarësisht largimit nga jeta parlamentare, do të vazhdonte të ishte pjesë aktive e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku është nënkryetar i kësaj partie. Ai tregoi se kishte përjetuar emocione të veçanta, pas fjalimit që kishte mbajtur në Parlament. “Kishte emocion. Më vjen mirë që deputetët e vlerësuan si gjest pozitiv duke më duartrokitur. Më pëlqeu që ishte një ndarje e tillë me Parlamentin”, - do të deklaronte ish-deputeti i LSI-së, Zabit Brokaj.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›