E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen ne Kuvend komisionet hetimore per aferat e qeverise

Konkluzionet e komisioneve dalin gjithnjë me dy variante. Asnjë prej komisioneve nuk e zbatoi deri në fund procedurën

Habjon Hasani
Miliona lekë për shpenzime, paga dhe infrastrukturë për funksionimin e nëntë komisioneve hetimore (në dy vitet e fundit) janë “hedhur në lum” pasi në finale të tyre këto komisione nuk kanë nxjerrë asgjë në dritë. Përtej kostos financiare më flagrant ngelet fakti se objektet e trajtimit të këtyre komisioneve kanë qenë çështje shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me hetimin e zyrtarëve të lartë apo me dosje privatizimi që në vlerë të tyre përkthehen në qindra miliona euro. Komisionet për “hetimin e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës”, “për privatizimin e Albtelekomit”, “për hetimin e shpenzimeve të buxhetit”, ”për zbatimin e ligjeve të koncesioneve”, “për tregun monopol të telefonisë celulare”, “për shkarkimet në administratën publike”, “për verifikimin e pasurive të zyrtarëve”, “për prokurorin e Përgjithshëm”, ose kanë dalë me dy konkluzione, ose janë zvarritur pa fund, duke mos dalë ndonjëherë në ndonjë konkluzion. Ndoshta pak përjashtim në këtë rast bën komisioni “për tregun monopol të telefonisë celulare”, i cili ka qenë i vetmi që ka dalë me një konkluzion të vetëm, megjithëse këto konkluzione nuk janë futur në kanalet e ndjekjes ligjore sikurse e parashikon ligji për këto komisione.
Dopio-rezultat
Pjesa dërrmuese e këtyre komisioneve hetimore kanë dalë me konkluzione të dyzuara. Sikundër nuk ishte praktikuar asnjëherë më parë, pas vitit 2005 thuajse të gjitha këto komisione kanë shprehur dy përmbledhje rezultatesh, që në paraqitjen e tyre rezultojnë krejt të kundërta. Si gjithnjë, konkluzionet janë pjellë e variantit “qeverisës” dhe atij opozitar. Një fat të tillë kanë pasur konkluzionet për shkarkimet në administratë, për pasurinë e zyrtarëve, për prokurorin e Përgjithshëm etj. Sakaq, ajo që të bën përshtypje janë analizat dhe të dhënat krejt të kundërta, saqë duket se dy variantet e konkluzioneve flasin për çështje apo problematika të ndryshme. Ky fakt shënon një precedent domethënës për aktivitetin e këtyre komisioneve, e sidomos për profesionalizmin dhe shkallën e tyre të ekspertizës.
“Pezull”
Por, ndërsa komisionet që kanë “përfunduar” hetimin e tyre dalin me “dy koka”, një pjesë e komisioneve nuk dihet ende sot e kësaj dite se në ç’pikë janë apo se kur do të përfundojnë. Raste klasike në këtë rast përbën komisioni hetimor për “hetimin e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës” apo ai ”për zbatimin e ligjeve të koncesioneve”////////////// duket se janë në një pikë kritike dhe krejt pa orientim. Komisioni hetimor për rrugën “Durrës-Kukës” duket se pati zanafillë dhe ngarkesa të pastra politike që me krijimin e tij në kushtet kur Prokuroria po e hetonte ndërkohë. Ky u duk një absurd në kushtet kur ligji për “Komisionet hetimore” ka si qëllim final të tijin dorëzimin e konkluzioneve në Prokurori. Megjithatë sot e kësaj dite, qoftë Prokuroria, qoftë ky komision, kanë pezulluar punën pasi paraprakisht për vlerësimin e dëmeve duhet që të merret në konsideratë projekti final i rrugës. Ndonëse kjo rrugë vlen qindra miliona euro, ende Ministria e Transporteve nuk e ka dorëzuar këtë projekt. Një tjetër fakt që lidhet me këtë komision është injorimi dhe mosmarrja në konsideratë e raportit të KLSH-së lidhur me abuzimet me tenderimin e rrugës. Gjithashtu edhe komisioni që heton zbatimin e “kontratave koncesionare” është në fazë të plotë stanjacioni, edhe pse ky komision kryesohet nga socialistët. Në media shpesh janë denoncuar disa kontrata koncesionare, por komisioni nuk ka arritur të bëjë diçka lidhur me këtë gjendje. Ndonëse ka marrë në konsideratë dhe hetimin e koncesioneve në sektorin metalurgjik, ky komision nuk ka thirrur qoftë dhe një dëshmitar të vetëm lidhur me kontratat në këtë fushë.

KOMISIONET HETIMORE TË NGRITURA DY VITET E FUNDIT

Komision për tenderimin e rrugës “Durrës-Kukës” (pezull)
Komision për privatizimin e Albtelekomit (dështoi)
Komision për hetimin e shpenzimeve të buxhetit (dështoi)
Komision për zbatimin e ligjeve të koncesioneve (pezull)
Komision për tregun monopol të telefonisë celulare (i përfunduar)
Komision për shkarkimet në administratën publike (me dy konkluzione)
Komision për verifikimin e pasurive të zyrtarëve (me dy konkluzione)
Komision për prokurorin e Përgjithshëm (me dy konkluzione)

BOX
Komisionet, kostoja është 50 milionë vetëm në 2007-n

Të jesh pjesë e një komisioni hetimor parlamentar është një “biznes” shumë i leverdishëm. Përveç shpërblimit për komisionet e përhershme, deputetët paguhen edhe për pjesëmarrjen e tyre në komisionet e përkohshme, të cilat kohët e fundit kanë hyrë mjaft në modë. Anëtarët të cilët kanë marrë pjesë në komisionet e përkohshme që janë krijuar në legjislaturën e shkuar janë paguar plus pagës dhe komisioneve të përhershme. Konkretisht, deputetët që kanë marrë pjesë në komisionin hetimor për kryeprokurorin Theodhori Sollaku janë paguar të paktën 2000 lekë secili anëtar dhe 2500 lekë kryetari i komisionit. Po kështu, shpërblim kanë marrë edhe specialistët, sekretarja. Shpenzime llogariten edhe shpenzimet kancelarike. Në bazë të një përllogaritjeje të thjeshtë, ngritja e një komisioni hetimor i kushteton shtetit 1 milion lekë. Në legjislaturën e shkuar janë ngritur rreth pesë komisione hetimore, të cilat kanë kushtuar rreth 5 milionë lekë, siç është edhe ai i hetimit të Albtelekomit, i cili deri tani ka rezultuar i pasuksesshëm, hetimi i shkarkimeve në administratë, po kështu një komision që nuk ka shërbyer për asgjë, ndërkohë që janë ngritur edhe komisione të tjera. Qëllimi i ngritjes së komisioneve hetimore është hetimi i çështjeve të caktuara, por në fund nuk arrihet asgjë, pasi si PD-ja, si PS-ja, nuk gjejnë asnjëherë gjuhën e konsensusit. Ata arrijnë në konkluzione të ndryshme, kështu që hartojnë dhe raporte të ndryshme. Nga këto komisione hetimore deri tani nuk është ndëshkuar apo vënë para drejtësisë asnjë.

BOX
Procedura e funksionimit të komisioneve hetimore

- Bën hetime, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për komisionet hetimore;
- thërret titullarë institucionesh për pyetje, si dhe kërkon nga ata informacione ose dokumente zyrtare;
- merr në pyetje dëshmitarë dhe persona të tjerë;
- merr vendime, sipas rregullave të parashikuara në ligjin për komisionet hetimore;
- përgatit dhe miraton vendimin përfundimtar të hetimit, së bashku me mendimin e pakicës;
- paraqet për miratim në Kuvend raportin përfundimtar;
- raporti përfundimtar i paraqitet seancës plenare të Kuvendit brenda 7 ditëve nga data e marrjes së vendimit përfundimtar të komisionit;
- Kuvendi i miraton konkluzionet e komisionit në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 78 të Kushtetutës;
-kur raporti i miratuar në Kuvend përmban të dhëna për ekzistencën e veprave penale, atëherë ai i dërgohet prokurorit të Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale;
- prokurori i Përgjithshëm, kur konstaton se janë kryer vepra penale, fillon çështjen penale dhe më pas njofton Kuvendin për fillimin e hetimeve.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›