E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zabit Brokaj: “Si i kuroja anëtarët e Byrosë Politike”

Ish-deputeti rrëfen karrierën e tij si kardiolog në Klinikën e Udhëheqjes. Njohjet dhe marrëdhëniet me Enver Hoxhën, Hysni Kapon, Haxhi Lleshin etj.

Shaban Sulçe

Zabit Brokaj, përveçse një politikan me karrierë të gjatë e të suksesshme, njihet gjithashtu si një ndër kardiologët më të mirë në mjekësinë shqiptare. Një karrierë po aq e gjatë dhe po aq e suksesshme, kulmi i së cilës arriti pikërisht në vitin 1975, kur ai u emërua si mjek në klinikën speciale, apo siç e quanin në atë kohë, Klinika e Udhëheqjes. Në një intervistë për gazetën “Albania” Brokaj tregon për rininë e tij të hershme, pasionet, dëshirën për të lexuar dhe studiuar sa më shumë, si dhe për karrierën e tij në fushën e mjekësisë. Ai tregon se si ka ushtruar për vite me radhë detyrën e mjekut në Klinikën e Udhëheqjes. Si ishte njohur dhe çfarë marrëdhëniesh ka pasur me ish-liderët komunistë Enver Hoxha, Hysni Kapo, Haxhi Lleshi etj.
Zoti Brokaj, do të deshëm fillimisht të dinim në këtë intervistë pasionet e hershme në rininë tuaj. Cili ka qenë pasioni juaj kryesor gjatë moshës së rinisë?
Në rininë tonë, synimet, ambiciet, hobet i përcaktonte vetë koha. Gjenerata jonë inspirim kryesor kishte librin, që ishte edhe themeli i formimit të gjithanshëm dhe leximi ishte dukuria më pozitive për atë kohë. Koha jonë kishte orientimet e saj, megjithatë për klasikët e mëdhenj nuk kishte kufizime absolute. Në atë kohë mund të lexoje Hygoin, Drajzerin, Remarkun etj. dhe të lexoje letërsinë e zgjedhur. Unë pata avantazhin, duke pasur kushtet, përveç dhe pasionit për të lexuar, që të lexoja rusisht dhe frëngjisht nga bibliotekat e vjetra, të cilat ishin të mjaftueshme. Formimi ynë ishte idealist, patriotik dhe unë nuk jam aspak dakord me ata që deklarojnë sot se bazat e formimit tonë ishin internacionale. Ne u formuam si qytetarë me dinjitet dhe krenari, të cilat na u kthyen në substancat që na shoqëruan gjithë jetën.
Cili ka qenë formimi juaj arsimor?
Pasi kreva shkollën e mesme, punova si ndihmësmjek oficer në nëndetëse në gjirin e Pashalimanit. Isha vetëm 17 vjeç dhe punova për 5 vjet në këtë detyrë. Për shkak të numrit të pakët të oficerëve në nëndetëse, të cilët vetëm pas viteve 1961-1962 u rikthyen nga studimet në Bashkimin Sovjetik, unë kreva gjithashtu edhe disa detyra të tjera në nëndetëse. Kisha detyra të tjera si kimist, në prapavijë, në logjistikë, zëvendëskomisar i anijes dhe duhet të jepja edhe 20 provime, të cilat duhet t’i kryeja paralelisht. Pas kësaj erdha në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku kreva studimet e larta në vitet 1964-1969.
Si e kujtoni jetën tuaj si student?
Jeta e studentit ka qenë tipike e kohës, në një aktivitet mësimor dhe fillestar kërkimor në rrethet studentore shkencore. Duke qenë se isha në organikën e ushtrisë, pas përfundimit të studimeve të larta nuk qëndrova në fakultet për të vijuar punën kërkimore shkencore. Megjithatë, duke qenë oficer, m’u bë një favor nga ushtria, ku duke qenë se dola me rezultate shumë të mira me studimet, m’u lejua që të qëndroja dhe të punoja në Tiranë dhe jo të rikthehesha pas. Në këtë moment shënohet edhe shkëputja ime nga flota për t’u përfshirë në mjekësinë klinike dhe atë ushtarake. Pas kësaj u emërova me punë në Shijak, ku m’u caktua detyra e shefit të shërbimit mjekësor në Brigadën e Shijakut dhe në spitalin e këtij qyteti. Ajo periudhë më ka formuar dhe më ka dhënë eksperiencën si mjek i përgjithshëm. Punova për dy vjet në Shijak, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ruaja lidhjet edhe me Spitalin Ushtarak, ndërkohë që angazhohesha edhe në Spitalin e Durrësit. Më duhet të theksoj se aty kam gjetur një ambient shoqëror mjaft të mirë, kolegë të zotë dhe profesionistë të aftë në fushën e mjekësisë.
Po më pas si vazhdoi karriera juaj profesionale si mjek?
Më pas kreva 6 muaj stazh në Spitalin Ushtarak dhe pas kësaj periudhe stazhi m’u kërkua që të punoja si efektiv i Spitalit Ushtarak, fillimisht në Pavijonin e Gastroeternologjisë për një periudhë prej 18 muajsh dhe më tej si specialist në Kirurgji dhe Kardiologji, ku bëra edhe specializimin në klinikën e fakultetit. Në vitin 1979 u nisa për në Francë për të kryer specializimin tim të parë jashtë shtetit, specializim i cili u pasua po me një tjetër në vitin 1982, po në Francë, dhe në vitin 1989 në Gjermani. Në vitin 1975 u emërova pedagog i jashtëm i Fakultetit të Mjekësisë dhe konsulent në klinikën speciale, e cila quhej edhe Klinika e Udhëheqjes.
Pas ’80-s kalova me kohë të plotë në Fakultetin e Mjekësisë, ku vite me radhë punova si pedagog, zëvendësdekan dhe dekan i fakultetit deri në vitin 1991, për ta ndërprerë aktivitetin në shkurt të këtij viti, duke punuar vetëm si pedagog i jashtëm për shkak të nisjes së angazhimit tim në skenën politike.
Ju thatë që keni punuar si mjek në klinikën speciale, ose siç njihej ndryshe Klinika e Udhëheqjes. Çfarë detyre kishit aty?
Në klinikën speciale mbuloja shërbimin e urgjencës, sipas grafikut të asaj kohe. Mbuloja edhe ekzaminimin eko - kardiografik periodik, por edhe sipas rasteve të udhëheqjes së asaj kohe. Isha gjithashtu edhe anëtar i ekipit që trajtonte Enver Hoxhën.
A ndikoi fakti që punonit në këtë klinikë për të krijuar miqësi me drejtuesit komunistë të asaj kohe?
Jo, gjithmonë kam qenë në pozicionin e mjekut dhe nuk kisha synime për të krijuar relacione të veçanta. Një marrëdhënie më e afërt miqësore ka qenë me Hysni Kapon, në kohën që ai pësoi infarktin dhe deri kur vdiq, duke u nisur edhe nga fakti se patologjia e tij ishte e rëndë dhe e gjatë, por edhe nga natyra e tij miqësore, me anë të së cilës ai krijonte afërsi me njerëzit që e rrethonin. Raporte të veçanta dhe miqësore kam pasur edhe me Haxhi Lleshin, i cili gjithashtu ishte një natyrë shumë miqësore. Anën shëndetësore të tij e kam ndjekur për një kohë të gjatë, edhe pas vitit ‘90, deri në ditën kundër ndërroi jetë.
A luajti ndonjë rol inkurajues për t’u angazhuar në politikë fakti që njohët nga afër drejtuesit politikë të vendit të asaj kohe?
Luajti rol të kundërt dhe nuk përbënte shtysë që të merresha me politikë. Ishte vetë ambienti i tillë. Madje edhe fëmijët e udhëheqjes nuk u lidhën me politikën, por i shtynë që të merreshin me profesione të tjera. Lidhja me politikën nisi pikërisht në momentin kur lindi nevoja e ndryshimit të Shqipërisë, ndryshim që do të realizohej nga inteligjenca dhe rinia shqiptare. Unë isha pjesë e inteligjencës dhe si idealist dhe realist, duke pasur rastin që të njihesha edhe me botën perëndimore, e gjykova të angazhohesha në politikë për t’u bërë promotor dhe shtysë për zhvillimin e vendit, demokratizimit të tij. Devijimet që iu bënë këtij procesi nga protagonistë të veçantë më bënë që të përballesha dhe të njihesha më pas si opozitar i egër, pasi unë nuk mund të pajtohesha me devijimet e demokracisë dhe ato të ekonomisë së tregut.

Kush është Zabit Brokaj

Emër, mbiemër: Zabit Brokaj
Vendlindja: Vlorë
Arsimi: Diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë
Ka kryer specializime pasuniversitare në Francë, Gjermani dhe Suedi
Karriera profesionale: Mjek në Shijak, në Spitalin Ushtarak
Mjek kardiolog në “Ish-Klinikën e Udhëheqjes”
Karriera akademike: Dekan i Fakultetit të Mjekësisë deri në vitin 1991
Karriera politike: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1991, përfaqësues i Partisë Socialiste
1991-Ministër i Shëndetësisë
1997-1998 Ministër i Mbrojtjes
1998-2001 Këshilltar i Mbrojtjes së Presidentit
2001-2004 Deputet i Partisë Socialiste
2004-2008 Deputet dhe nënkryetar i LSI-së
2008-Jep dorëheqjen nga mandati i deputetit
Aktualisht vazhdon të jetë nënkryetar i LSI-së

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›