E Diel, 1 Nëntor 2026

“Unë jam Maliqi, nuk pyes për ligjin, ti paguaj e puno!”

03/06/2010 Letra që futi në grackë 3 inspektorë të gazit e naftës. Skema e plotë e abuzimit

TIRANE- Një letër e hapur mjaftoi që tre zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë të bien në pranga për korrupsion. Ka qenë pikërisht data 14 dhjetor 2009, kur biznesmeni i gazit Ilirjan Brokaj nga Vlora, i është drejtuar kryeinspektorit Virgjil Joti dhe dy vartësve të tij, inspektorëve Luan Qato dhe Kastriot Llakaj, duke i paralajmëruar se në rast se ata do të vazhdonin të kërkonin para nën dorë për licencimin e anijeve me gaz, atëherë ai do ti drejtohej prokurorisë. Mirëpo lidhur me këtë paralajmërim, tre zyrtarët e ministrisë nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare, duke vazhduar ti bëjnë shantazh biznesmenit Brokaj, duke i thënë: “Të punosh qetë dhe pa probleme, paguaj!” Sipas biznesmenit, kjo është kërkuar nëpërmjet personave të tretë dhe më pas nga vetë kryeinspektori i Inspektoratit Qendror Teknik, Virgjil Joti, i cili duke e hequr veten si “Maliqi”, që nuk pyet për ligjet në fuqi, i ka kërkuar një grusht me dollarë, që kapte shifrën prej 20 mijë USD për çdo anije të importuar. Gazeta “Metropol” ka mundur të sigurojë letrën, e cila është konsideruar nga hetuesit si indicia që ka shërbyer për të prangosur tre zyrtarët e korruptuar të Ministrisë së Ekonomisë. Pikërisht në këtë letër biznesmeni i kompanisë “Kalaja” Sh.a tregon peripecitë e tij, që i kanë dalë si rezultat i manovrave korruptive të kryeinspektorit Virgjil Joti.

Letra e plotë e Ilirjan Brokajt

“Kalaja” sh.a ka që në vitin 2003 që merret me importimin dhe shpërndarjen e gazit në Shqipëri. Kjo kompani është një nga importuesit kryesorë të kësaj fushe. Ajo është një taksapaguese e rregullt dhe një punëdhënëse në qytetin e Vlorës. Por çmë shtyn mua tju drejtohem juve? Me ndryshimin e kryeinspektorit të IQT në Tiranë, e me ardhjen në këtë detyrë të z. Virgjil Joti, për kompaninë time filluan problemet. Zotëria në fjalë ka vendosur të bëhet i pasur duke shfrytëzuar postin e tij. Që me ardhjen e tij në detyrë, ky zotëri filloi të bëjë të vështirin, duke kërkuar bërjen dhe ribërjen e analizave të produktit dhjetëra herë. Deri këtu jemi “OK”. Por zotërisë nuk i pëlqejnë përgjigjet e laboratorit të shtetit dhe krijon vonesa fiktive, duke shkelur çdo procedurë që parashikon ligji shqiptar. Të gjitha këto vonesa firmës i kushtojnë qindra mijëra dollarë. Këtu lind pazari. Zotëria na thotë se ju mund ti keni analizat në rregull, por unë jam “Maliqi”, që bëj çtë dua me ligjin. Nëpërmjet personave të tretë dhe pastaj personalisht pasi është takuar me mua, administratorin e “Kalaja” sh.a, z. Ilirjan Brokaj, “Maliqi” më befasoi duke më kërkuar mua një “grusht dollarë” (20.000 USD për çdo anije të importuar). Kjo shumë nuk është e madhe, po të llogaritësh dëmin që më ka shkaktuar zotëria, por është gjigante si zë në listën e shpenzimeve, gjë të cilën se paraqes dot në asnjë bilanc. Prandaj u detyrova ti dërgoj mesazh Kryeministrit dhe pashë dhe interesimin e tij, kur menjëherë më kontaktuan nga zyra e tij. Kjo më dha shpresë dhe unë e di që do ta gjej një zgjidhje. Por problemi është urgjent, prandaj po u drejtohem mediave. Kompania ime ndodhet prej 10 ditësh pa gaz, me të cilin ne punojmë, kemi kontrata furnizimi me subjekte shpërndarëse dhe prodhuese dhe dëmi po më rritet nga ora në orë. Kemi 10 ditë që i kërkojmë Inspektoratit të dërgojë inspektorët për të bërë analizat e dyta apo të tretat, pasi të parat janë sipas standardeve të vendosura nga shteti shqiptar, por askush nuk përgjigjet. Dhe vazhdimisht personi i tretë na telefonon e na kërkon të mos e mërzisim “Maliqin” me emrin Virgjil Joti, pasi zgjidhja është: “Të punosh qetë dhe pa probleme, paguaj!” Denoncimin tim e bëra në dy pushtetet e këtij vendi, por e njoftoj zotërinë publikisht se do ti drejtohem dhe prokurorisë. Unë kam vendosur të jetoj në këtë vend, të punoj, tu përgjigjem detyrimeve që ngarkon shteti im, kur të jem gabim dhe të ndëshkohem, si pjesë e rregullit të çdo shoqërie, por nuk pranoj të jap qoftë edhe një cent për këdo që e quan veten “Maliq”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›