E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë para 1996, kompensim deri në 500 m2

03/06/2010 Kompensimi me truall do të bëhet në dy variante. Procedurë e veçantë për bregdetin

Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, do të kompensohen me truall në zonat urbane në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kjo është parashikuar në ligjin për “Verifikimin e Titujve të Pronësisë”. Sipas ligjit në fjalë, kompensimi në truall do të bëhet në dy variante. Në rast se familjet janë me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit që do të jepet për kompensim do të jetë deri në 500 m2 dhe në rast se për familjet me më pak pjesëtarë, do të zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile, të datës 31.12.1995. Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit të qeverisë në vitin 1993 që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, do të kompensohen me truall në zonë turistike në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kompensimi në këto toka bujqësore do të jetë i njëjtë me përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijës së verdhë. Kalimi i tokës së përdoruesve, për kompensim fizik, për subjektet e shpronësuara bëhet me vendim të qeverisë, ndërsa kalimi i tokës së përdoruesve për ndërtime publike bëhet sipas rastit, me vendim të KRRT-së të qarkut ose të KRRTRSH-së, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën. Ndërkohë, në tjetër çështje që trajtohet në ligjin për “Verifikimin e Titujve të Pronësisë” është edhe rasti kur komisionet vendore gjatë verifikimit të dokumentacionit vërejnë se titulli i pronësisë mbi tokën është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në ligj. Në këtë rast, nëse nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë, atëherë Komisioni Vendor i ofron mbajtjen në pronësi të tokës bujqësore dhe ligjërimin e titullit të pronësisë, por me detyrimin që duhet ta paguajë atë sipas vlerës së tregut, që ka miratuar harta e çmimeve të Agjencisë së Pronave. Në këtë rast, Komisioni Vendor merr vendim për pajisjen e tij me dokumentacion të ri ligjor. Ndërkohë, nuk do të lejohet ofrimi i tokave bujqësore, të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit të vitit 1995. Kur mbajtësi i titullit të pronësisë të krijuar në mënyrë të kundërligjshme refuzon ligjërimin e këtij titulli, pra që të paguajë për tokën që ka zënë, Komisioni merr vendim për pavlefshmërinë e titullit të pronësisë.

Heqja

Duke iu referuar ligjit për “Verifikimin e Titujve të Pronësisë”, titujt e pronësisë që janë dhënë që më 1 shtator të vitit 1991, por që nuk kanë figuruar në hipotekë si tokë bujqësore, do tu hiqet titulli i pronësisë, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe do të përdoren për tu përfshirë në fondin e kompensimit fizik të ish pronarëve.

Qëllimi

Ky ligj ka si synim përcaktimin e kritereve të vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore si dhe ngritjen e strukturave shtetërore, të cilat do të certifikojnë dhe krijojnë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore. Pritet të verifikohen të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, që janë administruar nga ish-NB-të dhe institucionet e tjera.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›