E Diel, 1 Nëntor 2026

Verifikimi i dëmeve, fatura 280 milionë lekë

03/06/2010 Përmbytjet Shkodër, përfundon procesi

SHKODER- Grupet e punës së Këshillit të Qarkut të Shkodrës kanë përfunduar verifikimet e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e dyta dhe të treta në zonën e Shkodrës. Ka qenë sekretari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Besnik Kastrati, i cili e ka bërë të ditur këtë fakt, ndërkohë që ka theksuar se i gjithë dokumentacioni i grumbulluar është dërguar në Ministrinë e Brendshme. Sipas deklaratës së Kastratit pas verifikimeve të dëmeve të muajit mars dhe prill ka rezultuar se janë dëmtuar rreth 1799 familje në zonën e Nënshkodrës. Në bazë të përllogaritjeve vlera e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit kap shifrën e 280 milionë lekëve të reja. Pas verifikimit të dokumentacioneve nga ministria e linjës, do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili do të japë miratimin e kësaj vlere për kompensimin e familjeve të përmbytura, si dhe datën e fillimit të këtij procesi. Ndërkohë Kastrati bëri të ditur se krahas verifikimeve të përmbytjeve të dyta dhe të treta është kryer dhe verifikimi i dëmeve të shkaktuara gjatë përmbytjes së parë kryesisht në komunën Velipojë. Njëkohësisht është kryer dhe shqyrtimi i ankesave për përmbytjet e para për 32 familje. Këshilli i Qarkut ka propozuar akordim ndihme shtesë prej 75 milionë lekësh të reja për këto familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›