Une jam i lire
Që prej të mërkurës, unë jam i lirë! I lirë të udhëtoj në "Schengen" ku të dua, kur të dua. Kjo më bën optimist. Këtë liri e kam ëndërruar. Kjo liri më bën të harroj se jetoj në Shqipëri. Kjo nuk është gjë e mirë, por optimizmi më bën të besoj se Shqipëria po ndryshon. Ose të paktën, për ca gjëra nuk është më si ishte. Në fillim NATO, tani vizat, nesër... Por mua më interesojnë vizat. Vizat janë të prekshme, vizat janë konkrete. Vizat janë i vetmi element, që më integrojnë si individ; i vetmi element, që më nxjerrin nga burgu imagjinar i izolimit.
Pamundësia e lëvizjes ka qenë për mua i vetmi problem për rikthimin në Shqipëri. Isha mësuar aty ku isha me idenë se mund të merrja trenin apo autobusin kur të doja dhe të kaloja kufirin në një drejtim të pacaktuar. Nuk është se gjatë studimeve pasuniversitare kam lëvizur shumë, por kur kam dashur, apo jam detyruar, kam shkuar në Strasburg, Romë, Bruksel, Paris, Amsterdam. Ideja e rikthimit më fuste në shpirt angështi. Ishte Shqipëria ai burgu imagjinar, ku frustrimi i atyre që nuk lëviznin ishte po aq i madh sa ishte ekskluzive e drejta e atij grushti njerëzish që merrnin vizë. Diçka e ngjashme me një lokal privat, ku disa lejohen të hyjnë dhe disa mënjanohen pa takt nga porta e hyrjes.
Pas rikthimit, angështia mbeti e njëjtë, e paprekur nga vizat e njëpasnjëshme dyvjeçare, apo nga fakti se tani udhëtimet ishin kryesisht për punë dhe kjo më bënte të ecja me kokën lart për profesionin tim dhe shpenzimet që më paguanin të tjerët. Jo! Më vinte keq për prindërit e mi, që një ditë në Sarandë, nuk mundën të kalonin nga ana tjetër për të ngrënë një drekë në Igumenicë; më vinte keq për vëllain tim, që nuk mundi të shkonte në Milano për të parë një ndeshje të Interit; më vinte akoma më shumë keq për masën e panjohur të njerëzve, që kishin nevoja më pak të "çuditshme" dhe thellësisht jetike, si malli për fëmijën apo nevoja për t'u kuruar.
Të tëra kategoritë sociale bashkoheshin te "Rruga e Ambasadave". Rruga u shndërrua thuajse në një institucion, por një institucion ku jo pak herë shumë njerëz u depersonalizuan në pritjen e gjatë për një vizë. Askënd nuk do ta marrë malli për atë pritje të gjatë, ndërkohë që të tërë e kanë harruar sakaq përballjen me indiferencën, ku shpresa mbetej i vetmi ngushëllim për një vizë njëjavore, tremujore, apo madje edhe treditore. Pas 65 vitesh, ne jemi sërish të lirë.
Nuk dua të besoj se kjo liri do të kushtëzohet, për shkak se do të keqpërdoret. Më duket e pamundur tani, që Shqipëria të boshatiset nga substanca e saj, rinia. E kam të vështirë të ndjek logjikën e kritizerëve të liberalizimit të vizave, se 1 milion shqiptarë të papunë, të varfër apo pa shpresë, do të dynden si hordhi barbare dyerve të Europës. Unë e di se vizat nuk do të sjellin punësim, nuk do të zhdukin varfërinë dhe as do të jenë të dobishme për shumë njerëz të pamundur. Por e drejta për të lëvizur pa vizë do të jetë një faktor pozitiv antistresi, një kokëçarje më pak, që do të rrijë mënjanë si një fitore sociale të cilën ata mund ta përdorin kur të duan.
Ama nga ana tjetër unë besoj se lëvizja e lirë do të na bëjë ne më të njerëzishëm. Besoj se do të sjellë më shumë edukatë dhe dije tek ata që do të udhëtojnë. Gjërat që njerëzit i kanë parë në televizor, tani do t'i prekin me dorë. Disa do të shohin nga afër Xhokondën apo me kokën përpjetë, do të rrotullohen poshtë kupolës së "Shën Pjetrit". Ndërkohë që disa të tjerë do ta kuptojnë se duhet të thonë gjithmonë "mirëdita", "të lutem" dhe "faleminderit", pasi të blejnë një palë xhinse te “Gap”, apo të porosisin një kafe në “Starbucks”.
Me lëvizjen e lirë do të vijnë eksperiencat vetjake të njohjes së "tjetrit". Njerëzit do të mësohen nga afër me skandinavin biond, skocezin qimekuq, italianin zeshkan, francezin mendjemadh, grekun ballkanas, por edhe afrikanin e natyralizuar, që është aty si një histori suksesi e një Europe të metisuar, që lufton – ndonëse jo gjithmonë fiton – kundër paragjykimeve, duke nxjerrë në pah sloganin e saj të dashur: "Të bashkuar në diversitet".
Shqiptarët nga ana e tyre do të bëjnë të njohur vetveten. Do të dëshmojnë se janë po aq europianë sa sicilianët, grekët, korsët, jo shumë të dallueshëm nga portugezët, marsejezët apo baskët. Unë besoj se paragjykimet do të bien, dhe kjo do të jetë e dyanshme. Unë nuk besoj se grekët apo italianët nuk na duan si vizitorë, ndonëse si gazetar do të jem gjithmonë gati të raportoj abuzimet e policisë, për të mos lejuar që kufiri të transferohet de facto në konsullatë.
Por sot është një ditë besimi. Optimizmi më bën të besoj se pa viza jam disi më ndryshe se dje, pa viza jam më i respektueshëm se më parë, pa viza do të jem më europian nesër. Heqja e vizave është në radhë të parë një çështje dinjiteti. Ndaj heqja e vizave është një ditë historike! E di që këtë e thotë edhe Kryeministri, por të paktën në këtë rast, ai ka ta drejtë. Të paktën në këtë rast, unë si qytetar mund t'i them: "Faleminderit"!