E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forlan i premton Rrustemit nje miqesore ne Kosove

Takohen në Gjermani, dy miqtë e vjetër dhe shkëmbejnë bluzat

Diego mund të zbarkojë në Kosovë për të luajtur një ndeshje miqësore për bamirësi. Nuk bëhet fjalë për një vendim përfundimtar, por për një premtim që i ka bërë mikut të tij të vjetër, Blerim Rrustemit, ish-mbrojtësit kosovar të kombëtares së Shqipërisë dhe aktualisht lojtar i Fc Ëegberg-Beeck.

Gjithçka rreth kësaj çështjeje ka pasur për skenë qytetin e Leverkusenit, drejt të cilit Forlanë kishte udhëtuar, menjëherë pasi kishte tërhequr zyrtarisht trofeun e “Topit të Artë” të Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, për t’iu bashkuar skuadrës Atletikos së Madridit, e cila dje në mbrëmje do të ndeshej për Europa League me ekipin vendas. Kishin kaluar plot 7 vjet, që nga hera e fundit që ishin takuar. “Forlan edhi në Gjermani më përpara sesa skuadra e Atletikos, pasi në Nurenberg mori çmimin ‘Topi i Artë’ i Botërorit, ka thënë të enjten Rrustemi për gazetën kosovare ‘Express’. Kemi komunikuar në telefon dhe e kemi lënë që të takohemi në Leverkusen, ku ishte e parashikuar të akomodohej skuadra e tij”. Futbollisti i klubit të ligës së tretë gjermane, Fc Ëegberg-Beeck, dhe sulmuesi i përfaqësueses së Uruguait u çmallën me njëri-tjetrin. Por ish-mbrojtësi i Shqipërisë i ka bërë edhe një kërkesë, për të cilën ka marrë përgjigje pozitive. “Kemi biseduar gjatë me Forlanin për shumë gjera, vazhdon më tej,  Rrustemi. E kam ftuar që ta vizitojë Kosovën dhe të luajë një ndeshje për bamirësi, kur të ketë kohë të lirë dhe më ka premtuar se do të vijë. Po ashtu edhe ai më ka ftuar që të shkoj në Madrid dhe ta shikoj një ndeshje të Atletikos”. Kosovari, ish-futbollist i klubeve gjermane Borusia Mynshengladbah e RV Erfurt zbulon edhe një sekret në lidhje me të ardhmen e bomberit të njohur uruguaian, i cili shkëlqeu në Botërorin e Afrikës së Jugut. Ai tregon se gjatë bisedës Forlan i ka thënë se synon të mbetet në Atletiko deri në përfundim të kontratës. Sipas Rrustemit, sulmuesi uruguaian, pasi ta përfundojë kontratën me Atletikon, planifikon që karrierën ta vazhdojë në Europë ose Amerikë. Forlan dhe Rrustemi për herë të fundit janë takuar në vitin 2004, në Uruguai gjatë periudhës kur mbrojtësi kosovar ka qenë pjesë e klubit uruguaian, Defensor Sporting Club. Ata njihen që nga viti 2001. Kosovari në këtë kohë është menaxhuar nga babai i sulmuesit uruguaian, Pablo Forlan, i cili e kishte transferuar nga klubi kanadez, Supra Toronto në atë brazilian, Portuguesa Sao Paulo dhe më pas në Defensor Sporting Club. “Me Forlanin, edhe pse nuk jemi takuar që prej një kohe të gjatë, kemi mbajtur kontaktet. Po ashtu kam kontakte të vazhdueshme edhe me familjen e tij”, përfundoi ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare. Rrustemi, gjatë këtij takimi, i ka dhuruar Forlanit si kujtim një fanellë të kombëtares së Shqipërisë. Edhe ky i fundit ia ka kthyer nderin, duke i dhënë mbrojtësit kosovarit fanellën e Atletikos së Madridit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›