E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Unë, subjekt i trillimeve dhe shpifjeve të Edi Ramës”

30/03/2010 Kreu i qeverisë i është nënshtruar një operacioni fundjavën e kaluar

Kryeministri Sali Berisha gjatë fundjavës së kaluar i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike në njërën këmbë. Ai e ka bërë të ditur lajmin gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së. Problemi për të nuk qëndroi tek operacioni, që zgjati rreth 1 orë e 15 minuta me anestezi të përgjithshme, por te mesazhet që sipas tij kundërshtari kryesor politik, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, shpërndahu në medie. Kreu i qeverisë ka akuzuar kryesocialistin se ka mashtruar e trilluar mbi këtë fakt, duke u dërguar gazetarëve të ndryshëm lajme krejtësisht të paqena. Berisha ka thënë se disponon disa prej këtyre mesazheve telefonike, por nuk i ka bërë publike. “Një njeri që e ndërton suksesin vetëm mbi krizën, sëmundjen, fatkeqësinë, imagjinoni ju se ç’mund të bëjë”, - ka thënë kryeministri. Ai nuk është ndalur vetëm këtu, por ka përdorur edhe ironinë, duke iu drejtuar në distancë kreut të PS-së. “Nuk mund të mos them se janë disa operacione që kanë një domethënie tjetër kur detyrosh t’i bësh ato 30 apo 40 vjet para kohe, flasin vetë. Se shkon të transplantosh flokët, rri edhe dy javë në klinikë dhe nuk të mbin një qime, dhe kjo jo për faj të rastit, por për faj të arës; apo kur shkon për të hequr xhufkat në qepalla dhe të bien sytë më keq; apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe nuk të mbajnë. Më kujton një personazh rreth 40-50-vjeçar të Dritëro Agollit, që shkonte për t’u fejuar dhe i thoshte e ëma: ‘Merr një shami pionieri që të dukesh më i ri te nusja’”, - ka thënë Berisha. Me gjithë këtë situatë të krijuar, shefi i ekzekutivit dje është parë në formë të mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›