E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i organizatës “Zgjohu”, ku abuzoi “Mjaft” me kreditë

30/03/2010 Evazioni fiskal, Altin Goxhaj dëshmon kundër Erjon Velisë. Akuza fillon hetimet për dosjen nr. 3379

TIRANE- Zbardhja e misterit të mospagimit apo likuidimit të taksave nga ish-drejtuesi i organizatës “Mjaft” Erjon Veliaj, ka bërë që ditën e djeshme në Prokurorinë e Tiranës të paraqitet për të dëshmuar denoncuesin e këtij skandali Altin Goxhaj. Rreth orës 10:00 të paradites Goxhaj është paraqitur në zyrën e prokurorit të Task-Forcës, Julian Zonja, i cili ka regjistruar çështjen penale me nr. 3379 për akuzën e evazionit fiskal, ku po hetohen veprimet e kreut të partisë G.99, Erjon Veliaj dhe vëllait të tij Arbër Veliaj. Nga burime pranë akuzës kryeqytetase, mësohet se Altin Goxhaj është pyetur lidhur me dyshimet e mospagimit të detyrimeve fiskale për dy biznese “Grafika Propaganda” dhe “Fshati Urban”që drejtoheshin nga vëllai i Velisë, Arbëri. Ky i fundit në bashkëpunim me fondacionin “Mjaft”, atëherë i drejtuar prej Erjon Velisë, thithi në emër të mbështetjes së vetëpunësimit rinor nëpërmjet kreditimit shuma të konsiderueshme euro. Goxhaj ka deklaruar para hetuesve se këto para janë dhënë në formën e kredive nga “Mjaft”, për të hapur disa biznese, që kishin si qëllim vetëpunësimin e studentëve. Sipas Goxhaj, dhënia e kredive nga fondacioni “Mjaft” në adresë të bizneseve të sipërcituara është në mënyrë të paligjshme pasi legjislacioni shqiptar i lejon fondacionet të japin kredi vetëm në rastet kur janë të licencuar nga Banka e Shqipërisë dhe në rastin konkret Goxhaj ka pohuar se fondacioni “Mjaft” nuk ka asnjë licencë për këtë qëllim. Prokuroria tha se ekzistojnë dyshime se vëllezërit Veliaj kanë kryer evazion fiskal nëpërmjet dy bizneseve të ngritura prej tyre që quhen “Grafika Propaganda” dhe “Fshati Urban”. “Grafika Propaganda” nuk rezulton i regjistruar në gjykatë. Ndërkohë për sa i përket detyrimeve fiskale organi i akuzës është duke pritur përgjigje nga zyra e Tatim-Taksave, nëse këto dy biznese kanë shlyer detyrimet fiskale apo jo. Dyshohet se skema e përfitimit dhe abuzimit fiskal përfshin nga një anë thithjen e parave të projekteve të organizatës “Mjaft” dhe nga ana tjetër, realizim të faqeve online dhe të shërbimeve të tjera të imazhit për dhjetëra biznese shqiptare dhe të huaja si dhe institucione publike përfshi edhe universitete private. Aktualisht këto faqe online janë fshirë, gjë e cila ia vështirëson së tepërmi punën prokurorëve të njësisë së përbashkët hetimore Task-Forcë, të cilët prej disa muajsh kanë filluar hetimet lidhur me dyshimet që kanë ndaj Erjon Velisë dhe vëllait të tij Arbërit.

Dosja nr. 3379

Çështja penale me nr. 3379 është duke u hetuar nga prokurori i njësisë hetimore Task-Forcë, Julian Zonja, i cili prej disa muaj ka filluar hetimet për të zbardhur dyshimet e evazionit fiskal që dyshohet se ka kryer Erjon Veliaj së bashku me vëllain e tij Arbërin. Prokuroria tha se ekzistojnë dyshime se vëllezërit Veliaj, kanë kryer evazion fiskal nëpërmjet dy bizneseve të ngritura prej tyre që quhen “Grafika Propaganda” dhe “Fshati Urban”, ku nëpërmjet tyre synohej vetë punësimi rinor.

Njësia Task-Forcë

Për sa i përket detyrimeve fiskale njësia hetimore Task-Forcë është duke pritur përgjigje nga zyra e Tatim-Taksave, nëse këto dy biznese kanë shlyer detyrimet fiskale apo jo. Dyshohet se skema e përfitimit dhe abuzimit fiskal përfshin nga një anë thithjen e parave të projekteve të organizatës “Mjaft” dhe nga ana tjetër, realizim të faqeve online dhe të shërbimeve të tjera të imazhit për dhjetëra biznese shqiptare dhe të huaja si dhe institucione publike përfshi edhe universitete private.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›