E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myftinia e Shkodrës ndjekje penale për Sulejmanin

30/03/2010 Abuzimi me pronat

Këshilli i Myftinisë së Shkodrës do të dërgojë për ndjekje penale ish-myftiun e këtij qyteti Ndriçim Sulejmani. Lajmi është bërë i ditur nga vetë këshilli i kësaj myftinie, që e akuzon Sulejmanin për abuzim me pronat e këtij instituti. “Gjatë një kontrolli nga ana e Komisionit të Revizionimit të Këshillit të Përgjithshëm në Myftininë e Shkodrës është konstatuar se në rrafshin e pronave, megjithëse përpara shumë vjetësh në këtë myftini janë marrë shumë vendime pronash, gjatë viteve të detyrës së zotit Sulejmani ka pasur mosangazhim në ndjekjen e problemit të pronave, sepse indiferentizmi i myftiut, që ka trashëguar pronat nga paraardhësit e tij, e ka bërë Myftininë e Shkodrës të mos interesohet për marrjen e vendimeve të reja në komisionin e pronave, ku deri më sot ish-myftiu gjatë 3.5 vjetve në detyrë ka marrë vetëm një vendim prone. Ai ka pasur probleme me administrimin e dyqaneve në teatrin ‘Migjeni’, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit nga ish-myftiu”, - thuhet në deklaratën e Këshillit të Myftinisë së Shkodrës. Ndërkohë, sipas deklaratës një tjetër pikë që ka sjellë shkarkimin e ish-myftiut Seulejmani kanë qenë problemet me financat që janë hasur gjatë kontrollit të mësipërm “Në aspektin financiar kjo myftini ka pasur probleme të shumta, duke dalë me humbje, në vend që të dilte me fitim. Duke pasur parasysh gjendjen e tij problematike dhe raportin negativ ndaj tij, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm, datë 25 mars 2010, ai ka nxitur përsëri incident, me anë të pretenduesit për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm, zotit Virtyt Sokoli, i cili punon në institucionet shtetërore në Tiranë dhe nuk banon në Tiranë dhe është zgjedhur në mungesë të gjysmës së anëtarëve të Këshillit të Myftinisë, duke shkelur statutin e KMSH-së. Kjo ka çuar në propozimin e menjëhershëm nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për shkarkimin e tij nga detyra, me 77 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenim. Këshilli i Përgjithshëm, që është parlamenti i myslimanëve shqiptarë, e mori këtë vendim në përputhje të plotë me statutin dhe rregulloren e tij dhe në bazë të marrëveshjes KMSH-qeveri, me motivacionin e sqaruar në shkresën shoqëruese të kësaj deklarate”, - përfundon deklarata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›