E Diel, 1 Nëntor 2026

Unifikim të lejeve të transportit Shqipëri-Kosovë

Marrëveshja mundëson kalimin e udhëtarëve dhe mallrave nga njëri vend në tjetrin duke përdorur lejet dhe certifikatat që subjektet marrin në vendet përkatëse, pa pasur nevojën t'i nënshtrohen burokracive gjatë kalimit të kufirit, për t'u pajisur me lejet apo certifikatat e vendit tjetër.

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mori në shqyrtim sot projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës "Për Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Udhëtarëve dhe Mallrave".  

Gjatë diskutimeve për këtë p/ligj, përfaqësuesi i ministrisë së Transporteve, Arian Budo, tha se "është një marrëveshje standarde shumë e mirë, është e negociuar nga të dy palët, është firmosur nga dy ministrat përkatës dhe përbën një sukses në marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona". Ai bëri të ditur se marrëveshja i jep një frymëmarrje tjetër marrëdhënieve tregtare midis të dy vendeve. "Kjo marrëveshje shoqërohet me një fluks shumë të madh të shkëmbimit të mallrave dhe të udhëtarëve. Por edhe hapja e ‘Rrugës së Kombit ka ndihmuar shumë duke përmirësuar kushtet e transportit", tha Budo.

 Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi marrëveshjen dhe u shpreh dakord për kalimin e saj në seancë plenare. Gjithashtu, marrëveshja e ratifikuar ditën e sotme në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese përjashton transportuesit e të dyja palëve nga të gjitha taksat lidhur me pronësinë, regjistrimin dhe qarkullimin e mjetit. /Start/

                                                                                             2011-10-11 16:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›