E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT 10 dite nga Censusi procesi sipas parashikimeve

Dita e 10-të e Censusit të Popullsisë dhe Banesave në terren, po ecën sipas parashikimeve.

Deri tani janë numëruar rreth 535 mijë banesa ose 52% e totalit.

Sipas raportimeve që vijnë në INSTAT nga rrethet, si dhe nga sistemi me SMS, deri tani janë numëruar 535 300 banesa ose 52% e të gjitha banesave në të gjithë Shqipërinë.

Instituti i Statistikave ka përllogaritur një mesatare për përqindjen që duhet kryer deri në datë 10 tetor e cila është 49.4% dhe shifra që ne kemi deri në këtë ditë është mbi këtë mesatare.

Disa nga rrethet që kanë patur performancën më të lartë, pra mbi këtë mesatare (52%) janë Berati (58%), Dibra (67%), Pogradeci (62%), Lezha(56.7%) etj.

Nga ana tjetër, disa rrethe janë nën mesataren e përllogaritur si Durrësi (47.1%), Hasi (36.9%) dhe Tepelena (37.1%).

Ndërkohë që në Tiranë janë numëruar 50.2% e ndërtesave të parashikuara.

Pra siç shihet nga kjo panoramë e deritanishme, puna në terren po ecën sipas parashikimeve të INSTAT.

Sigurisht, që një proces madhor siç është Censusi ka dhe problematikën e vet, si në disa raste janë dashur pyetësorë dhe anketues shtesë që INSTAT i ka zgjidhur sipas parashikimeve.

Numri fillestar i anketueseve të përllogaritur ishte 11 712 dhe tani ka arritur në 11 902.

Kjo për shkak të ndarjes së disa zonave të Censusit të cilat kishin intensitet të lartë banesash krahasuar me të tjerat.

Deri tani, janë 190 Zona Censusi të cilat janë ndarë në 372 të tjera dhe kjo ka kërkuar një numër shtesë anketuesish.

Disa qytete të mëdha si, Tirana, Vlora, Lushnja, Durrësi kanë kërkuar numër shtesë pyetësorësh për të shkak të numrit më të madh të banesave në këto zona.

Gjithashtu, në disa rrethe si rezultat i madhësisë së familjeve janë dërguar pyetësorë individualë shtesë.

Deri në ditën e dhjetë, Censusi në terren po ecën sipas parashikimeve dhe problemet që janë hasur kanë gjetur zgjidhje të menjëhershme nga përgjegjësit e INSTAT në rrethe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›