“Unifikimi i veprimtarisë së inspektoriateve, risi madhore e sistemit të inspektimit në Shqipëri”
Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e Task Force për reformën rregullatore të inspektoriateve
Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u zhvillua dje, mbledhja e Task- Forcës për reformën rregullatore, në të cilën kreu i qeverisë përshëndeti punën shumë të mirë, të realizuar nga Ministria e Ekonomisë, ministritë e linjës dhe agjencitë për kompletimin dhe finalizimin e njërës prej reformave më kryesore në fushën e tregut dhe të ekonomisë, reformës së inspektoriateve.
“Dëshiroj të përshëndes punën e shkëlqyer që është bërë nga Ministria e Ekonomisë dhe të gjithë ministritë e linjës dhe agjencitë në kompletimin, në finalizimin e njërës prej reformave më kryesore në fushën e tregut dhe të ekonomisë, reformës së inspektoriateve dhe inspektimit, fryt i një pune shumë të vëmendshme, të përkushtuar dhe me ekspertizën më të mirë, nga më të mirat në botë nga grupi i BB, i cili, ka drejtuar, ka mbështetur me ekspertizë reformë e inspektoriateve në të gjithë vendet ish-komuniste, por natyrisht edhe shprehje e një domosdoshmërie të madhe për reformimin e këtij sistemi në Shqipëri”, tha kryeministri.
Duke e cilësuar inspektimin në tërësi, një sistem jetik në zhvillimin e biznesit, për mbrojtjen e interesave të tij dhe për mbrojtjen e interesave të konsumatorit, kryeministri theksoi se domosdoshmëria për reformën e këtij sistemi është shprehur nga të gjitha agjencitë e vendit dhe të gjitha ministritë, të cilat duke e ndjerë problemet e funksionimit të tyre u angazhuan me seriozitetin më të madh për këtë reformë.
Kryeministri u shpreh se kjo reformë sjell ndryshime shumë të mëdha dhe të gjithanshme, para së gjithash në parimin e funksionimit të këtij sistemi.
Kryeministri theksoi se zvogëlimi i numrit të inspektorateve nga 36 në 11 të tilla, pa zvogëluar funksionin e tyre, ka qenë një ndër konkluzionet më të drejta. Vendosja e këtyre inspektoriateve në një ligj horizontal siguron aplikimin e standardeve më të larta evropiane dhe transparente.
Gjithashtu, kryeministri theksoi se unifikimi i kritereve, standardeve, veprimtarisë së inspektoriateve përbën një risi tjetër madhore të sistemit të inspektimit që vendoset në Shqipëri.
“Vendosja e këtyre inspektimeve mbi bazën e një ligji horizontal, pra unifikimi i kritereve, standardeve, veprimtarisë së tyre, përbën një risi tjetër madhore të sistemit të inspektimit që vendoset në Shqipëri. Risi e këtij sistemi është dhe krijimi i inspektoriatit të përgjithshëm me kompetenca të kufizuara, që do të thotë se ky inpsektoriat i përgjithshëm nuk do të ketë tagrin e marrjes së detyrave të inspektorit sipas inspektoriateve, por do të ketë fuqinë e plotë të kontrollit të tyre, detyrën për një veprimtari tërësisht të dixhitalizuar, në mënyrë që kudo që këta shkojnë të ketë gjurmë”, vuri në dukje kryeministri Berisha.
Në aspektin ligjor, kryeministri theksoi se duhet të vazhdojë puna intensive për plotësimin në një kohë mundësisht sa më të shkurtër, por sa më mirë të të gjitha akteve nënligjore të domosdoshme për funksionimin e sistemit të ri të inspektimeve
“Grupi i punës ka sjellë këtu variantin përfundimtar në disa nene, me dy, tre opsione”. Duhet të vazhdojë puna intensive për plotësimin në një kohë mundësisht sa më të shkurtër, por sa më mirë të të gjitha akteve nënligjore të domosdoshme për funksionimin e sistemit të ri të inspektimeve. Duhet të fillojë puna paralelisht për vendosjen e tyre mbi baza dixhitale”.
Duke e cilësuar këtë reformë, si një prej reformave më kryesore të ndërmarra, kryeministri shprehu vendosmërinë për zbatimin e saj me rigorozitetin më të madh ligjor. “Pra e theksoj edhe njëherë, kjo është reforma ndër më kryesoret që është ndërmarrë ndonjëherë. Natyrisht fatin e kësaj reforme, sic do reformë tjetër e përcakton vendosmëria për zbatimin e saj. Ne kemi vendosmëri dhe vullnet të plotë që ta zbatojmë këtë me rigorozitetin më të madh ligjor”, tha ndër të tjera kryeministri Berisha.