E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesila Doda: Të zbardhet pasuria e Edi Ramës

Cilësimi si i varfër, paturpësi, kryebashkiaku zotëron milionat e fshehur të 15 %- sheve të lejeve të ndërtimit


Deklarata e pasurisë se kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që e cilësonte si një njeri të varfër është një paturpësi, para qytetarëve të Tiranës si dhe të gjithë Shqipërisë. Kështu është shprehur deputetja e PD-së Mesila Doda në një konferencë për shtyp duke theksuar se PD-ja denoncon mashtrimin e kryetarit të partisë së miliarderëve. Ajo e ka cilësuar kreun e PS, si më të korruptuarin në kontinent dhe fshehja e pasurisë së tij duhet të zbardhet. “Kryetari i klubit të miliarderëve Edi Rama, u shfaq dhe njëherë paturpësisht i varfër përpara qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Denoncojmë mashtrimin e kryetarit të partisë së miliarderëve, që ndërsa zhytet përditë në shumat marramendëse të 15%-sheve, të pallateve të ndërtuara, akuzë të cilën ja kanë ngritur publikisht ndërtuesit dhe qytetarët e Tiranës, sot mashtron opinionin duke na u shfaqur si barbon rrugësh, si njeri pa shtëpi, pa të ardhura, dhe i mbytur në borxhe. Kësaj deklarate mund t’i vëmë emrin vetëm gënjeshtër publike dhe nuk ka të madh a të vogël në këtë vend që mund të pranojë një mashtrim të tillë ordiner, ku një kryetar barbon komandon klubin e miliardërve socialistë”- u shpreh Doda. Sipas saj, fshehja e pasurisë së kryetarit të bashkisë më të korruptuar në kontinent, ka brenda farsën e varfërisë imagjinare të kryetarit Rama, të cilit vetëm goja e ribërë me porcelan i kap shifrën e 40 mijë eurove. “Fshehja e pasurisë së kryemiliarderit barbon është një tallje e shëmtuar, me opinionin publik, me organet e verifikimit të pasurisë dhe me organet e drejtësisë së vendit. Ne kërkojmë nga të gjitha organet kompetente të mundësojnë zbardhjen reale të pasurisë së kryetarit që ende jetonka me “pensionin e mamit”. Ne kërkojmë zbardhjen e të gjitha llogarive brenda dhe jashtë vendit të multimiliarderit Rama, që paturpësisht rreket të bëjë të besojë popullin e majtë dhe të djathtë, se miliardat që i rrinë në sy, në duar dhe në gojë, të veshura e të trupëzuara në të mira materiale e monetare, janë vetëm një iluzion dhe se ai është më i varfëri i të varfërve, ndaj në betejën e tij për pushtet nuk ka se ç’të humbë tjetër, veç prangave”- vuri në dukje deputetja demokrate, Mesila Doda.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›