E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparenca e zgjedhjeve, PS të marrë pjesë në reformën zgjedhore

LSI mbledh Kryesinë

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi përsëri dje Kryesinë e radhës, për të diskutuar për situatën më të fundit politike në vend, dhe riorganizimin e LSI-së për zgjedhjet vendore. Në fjalën e tij kreu i kësaj force politike, Ilir Meta është ndalur te çështja e reformës zgjedhore, duke e konsideruar këtë si prioritet jo vetëm të LSI-së, por të çdo force politike.
“Dua të theksoj se detyrat tona janë shumë të qarta dhe prioritet mbi prioritetet mbetet reforma zgjedhore. Një kërkesë kjo që tashmë sa vjen e theksohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Për LSI-në ky ka qenë një prioritet i jashtëzakonshëm dhe mbetet i tillë prej kohësh. Ne shpresojmë që të gjithë ata që e kanë vërtet të sinqertë kërkesën për transparencë, të bashkohen në përpjekjet tona për ta reformuar më tej sistemin zgjedhor. Sepse ne e kemi shprehur prej kohësh, që pavarësisht nga vlerësimi i lartë që u bëri komuniteti ndërkombëtar zgjedhjeve të shkuara, përsëri ato kishin problemet e tyre, ashtu si dhe vetë kodi konsensual PS-PD, nuk ishin perfektë”, tha Meta.
Sipas kreut të LSI-së Partia Socialiste mund t’i japë zgjidhje pretendimeve të saj për transparencën e zgjedhjeve, vetëm duke iu referuar kuadrit ligjor, që do të thotë përmes hartimit të reformës së re zgjedhore. “Një listë me rekomandime nga OSBE-ODIHR-i, gati një vit është publike dhe i fton të gjitha forcat politike që të përfshihen për t’i shndërruar ato në amendamente. Në radhë të parë, besoj se kjo fton Partinë Socialiste, si forcën kryesore opozitare në vend, e cila ka ngritur pas zgjedhjeve dhe shqetësim më shumë për zgjidhjen e transparencës. Nuk mund të zgjidhet çështja e transparencës pa i dhënë kuadrin ligjor. Kjo i bën ata që të mos vazhdojnë më me pretekste për të shmangur reformimin sistemit zgjedhor”, deklaroi Meta.
Meta vlerëson sërish zgjedhjen e LSI-së për lidhjen e koalicionit me PD-në
“Dua të përshëndes dhe një herë të gjithë ata që na mirëkuptuan dhe na mbështetën një vit më parë në shpalljen e koalicionin e qeverisjes me PD-në, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Dhe akoma më shumë përshëndes të gjithë ata që ndoshta nuk e mirëkuptuan këtë veprim, por që sot janë bindur, e mbështesin plotësisht duke e pasur në konsideratë të gjithë zhvillimet nga ai moment, të cilat janë zhvillime që kanë konfirmuar qëndrueshmërinë, funksionalitetin dhe rezultatet e kësaj qeverisjeje. Kjo kohë konfirmoi se ne bëmë zgjedhjen e duhur, në një moment të rëndësishëm dhe delikat. Bëmë zgjedhjen më të duhur, garantuam stabilitetin politike dhe institucional të vendit. kontribuuam për mbarëvajtjen e institucioneve kushtetuese. Morëm përgjegjësi të rëndësishme në një moment gjithashtu të rëndësishëm në nxitjen e reformave që ndihmojnë në integrimin evropian të vendit. Nëse shohim sot, Shqipëria, brenda kësaj periudhe ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin vizave, ç’ka ka përbën dhe bazën e propozimit pozitiv të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe për Bosnjën në fund të muajit maj, propozim që u mbështet unanimisht nga të gjithë vendet e BE-së gjatë samitit të Sarajevës. Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe Shqipëria ecën përpara me aplikimin për anëtarësimin në BE, dhe tashmë Shqipëria i ka dhënën të gjitha përgjigjet e pyetjeve shumë të rëndësishme, për të ecur më tej tek statusi i vendit kandidat për anëtarësimin e vendit në BE, që natyrisht përbën një proces shumë kompleks dhe që kërkon një angazhim të vazhdueshëm të të gjithë ne”, u shpreh midis të tjerave Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›